Adel Ömeragiç
24 Nëntor 2016•Përditësim: 25 Nëntor 2016
PODGORICË (AA) – Deputetët e Malit të Zi kanë votuar sot kreun e ri të Parlamentit, ku me 42 vota nga gjithsej 81 deputetë në këtë post është zgjedhur lideri socialdemokrat Ivan Brajoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Për Ivan Brajoviçin votuan deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Socialdemokratët, partitë boshnjake, Nismës Qytetare Kroate dhe koalicioni “Shqiptarët me Vendosmëri”.
Deputetët e Frontit Demokratik, Partisë Socialdemokratike, Partisë Socialiste Popullore, Demokratët, Demos dhe lëvizja URA kanë bojkotuar seancën pasi nuk njohin rezultatet e zgjedhjeve.
Në zgjedhjet Parlamentare në Mal të Zi të cilat u mbajtën më 16 tetor Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) fitoi 36 vende, Fronti Demokratik 18, koalicioni Kljuç (Çelësi) nëntë, demokratët tetë dhe socialdemokratët katër mandate.
Socialdemokratët dhe boshnjakët fituan nga dy deputetë, ndërsa “Shqiptarët me Vendosmëri" dhe Nisma Qytetare Kroate” nga një deputet.