Alma Çekovic
23 Qershor 2016•Përditësim: 24 Qershor 2016
LONDËR (AA) - Në Britani të Madhe sot mbahet referendumi për të qëndruar apo larguar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili në masë të madhe mund të përcaktojë të ardhmen jo vetëm të saj, por edhe të Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).
Pyetja e referendumit në të cilën të drejtë për të dhënë përgjigje e kanë mbi 46 milionë votues thotë: "A duhet që Mbretëria e Bashkuar të mbetet anëtare e BE-së ose duhet të largohet nga BE-ja?".
Në vendvotime do të dalin qytetarët britanikë dhe ata të Irlandës së Veriut si dhe qytetarët e Komonveltit të cilët janë rezident në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar që janë jashtë vendit të cilët në 15 vitet e fundit janë në listat zgjedhore. Të drejtën për të votuar këtë herë do ta kenë edhe qytetarët e Gjibraltarit.
Rezultati i referendumit tani për tani është mjaft i paparashikueshëm. Sipas sondazheve të fundit, opinioni britanik është tërësisht i ndarë, ndërsa qëndrimin e tij në bllokun 28-anëtarësh e mbështet shumica e qytetarëve të BE-së.
Në ditën e fundit të fushatës, përpara referendumit rreth qëndrimit ose largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, kryeministri britanik David Cameron paralajmëroi se dalja nga BE, nuk ka kthim, ndërsa kampi kundërshtar fton votuesit britanikë të kenë më shumë besim në vendin e tyre.
Mbështetësit e të ashtuquajturit "Brexit" besojnë se BE-ja pengon zhvillimin e Britanisë, ndërsa me qëndrimin në BE, vendi mund të marrë status të posaçëm në vendet e shoqërisë evropiane.
Pas thirrjes të kampit që mbështet daljen nga BE-ja e cila kërkonte nga votuesit britanikë që të kenë më shumë besim në vetevete dhe vendin e tyre, kryeministri britanik Cameron ka paralajmëruar se kjo është një rrugë pa mundësinë e kthimit.
"Nuk mund të hidheni nga avioni, dhe pastaj të ktheheni sërish në derën e njëjtë të kabinës", në mënyrë ilustrative sqaroi kryeministrit Cameron në deklaratën e djeshme për radion BBC.