Nazmi Abduramani
22 Nëntor 2018•Përditësim: 22 Nëntor 2018
SHKUP (AA) - Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i shoqëruar nga anëtarët e kabinetit të tij dhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme sot u takua me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Meta së bashku me delegacionin e tij, i cili qëndron sot në vend me rastin e shënimit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, shprehu falënderime për mundësinë që të takohet me kryeministrin e Maqedonisë, si dhe për mbështetjen e nivelit më të lartë shtetëror që Maqedonia ia kushton festës së Ditës së Gjuhës Shqipe si një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në historinë e shqiptarëve.
Zaev në takim dërgoi urata për festën dhe theksoi se shënimi i kësaj dite të rëndësishme të bashkësisë shqiptare është në pajtim të plotë me parimet për ndërtimin e një shoqërie në Republikën e Maqedonisë multietnike.
“Përcaktimi ynë për t’i përforcuar lidhjet, respektin e ndërsjellë dhe mbështetjen e të gjitha bashkësive etnike në vendin tonë, përcillet si një faktor pozitiv në kërkimin e përbashkët të përgjigjeve të të gjitha çështjeve që hapen para nesh. Ky është interes i përbashkët që na bashkon në realizimin e qëllimeve strategjike, siç janë aspiratat tona për anëtarësim në NATO dhe BE, si dhe përcaktimi ynë i fuqishëm për t’i përfunduar reformat në shtëpi”, deklaroi Zaev pas takimit me presidentin e Shqipërisë.
Të dy bashkëfolësit biseduan edhe për shumë tema të tjera me interes për të dyja vendet, me ç’rast theksuan gatishmërinë dhe përkushtimin e fuqishëm që të mbështesin më shumë projektet për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore si dhe mbështetje për projektet infrastrukturore nga të cilat priten impulse shtesë edhe për zhvillimin rajonal të vendeve të rajonit.