Ekip
21 Tetor 2021•Përditësim: 22 Tetor 2021
Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) filluan bisedimet sot në një samit dyditor, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërsa agjenda zyrtare e samitit fokusohet në rritjen e çmimeve të energjisë, pandeminë COVID-19 dhe marrëveshjet tregtare, mosmarrëveshja e vazhdueshme midis Polonisë dhe anëtarëve të tjerë të bllokut mbi sundimin e ligjit pritet të zë vend në samit.
Pas mbërritjes së tij në samit, kryeministri polak Mateusz Morawiecki këmbënguli se vendi i tij nuk ka asnjë problem me sundimin e ligjit, ndërsa shumë liderë të tjerë shprehën shqetësimet e tyre për këtë çështje.
“Çështja thelbësore është pavarësia e gjyqësorit në Poloni”, u tha gazetarëve në hyrje të takimit Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian.
Ajo shtoi se debati i vazhdueshëm i BE-së me Poloninë mbi sundimin e ligjit “ka marrë një dimension të ri” me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese polake që vuri në pikëpyetje parësinë e ligjit të BE-së.
“Ne kemi marrëdhënie të mira dypalëshe me Poloninë, por besojmë në përparësinë e ligjit të BE-së”, tha kryeministri irlandez Michael Martin.
“Ne të gjithë kemi bërë zgjedhje për të qenë plotësisht pjesë e familjes evropiane[...]. Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer me zhvillimet dhe mënyrën se si kanë ndodhur gjërat dhe besojmë se situata duhet të zgjidhet në favor të sundimit të ligjit”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez Viktor Orban mbrojti Poloninë, duke akuzuar bllokun se po zhvillon një “gjueti shtrigash” kundër vendit.
“BE-ja ka primatin aty ku ka kompetenca”, tha ai, duke shpjeguar se vendet anëtare i transferuan BE-së të drejta në disa fusha të politikave dhe ruajtën autoritetin kombëtar në pika të tjera.
Nga ana e saj, kancelarja gjermane në largim Angela Merkel theksoi rëndësinë e dialogut politik përpara se të ndërmerren veprime kundër Polonisë dhe pranoi se Varshava ka një vizion të ndryshëm për të ardhmen e bllokut.
“Ne duhet të gjejmë mënyra dhe mjete për t’u rikthyer së bashku këtu”, tha ajo, duke e quajtur sundimin e ligjit “një thelb të ekzistencës së Bashkimit Evropian”.
Duke marrë pjesë në samitin e saj të 107-të dhe të fundit të BE-së, udhëheqësja gjermane foli gjithashtu për dështimin e bllokut për të reformuar politikën e tij të azilit dhe migracionit.
“Është dhe mbetet keq që ne nuk kemi gjetur ende një linjë të përbashkët për migracionin midis 27 vendeve anëtare, megjithëse Komisioni Evropian ka bërë propozime shumë të mira këtu”, tha ajo.