Fatjon Cuka
20 Shkurt 2017•Përditësim: 20 Shkurt 2017
TIRANË (AA) - Protesta e opozitës që po zhvillohet në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të tretë, ndërsa sot përsëri i është bashkuar kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit të cilët qëndrojnë në çadrën e madhe të vendosur para selisë së Këshillit të Ministrave në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" , kanë ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.
Protestës herë pas here i bashkohen edhe deputetë të opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile, etj. Deputetët e Partisë Demokratike pritet të mos marrin pjesë në seancat plenare dhe në punën e komisioneve parlamentare për sa kohë mbahet protesta.
Opozita me këtë protestë kërkon dorëheqjen e qeverisë aktuale, drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit.
Protesta e opozitës filloi të shtunën, ku pas fjalimit të liderit të opozitës, Lulzim Basha, një grup protestuesish vendosën një çadër në bulevard, duke vazhduar protestën.
Ndërkohë për të biseduar rreth zhvillimeve të fundit në Shqipëri pritet të vizitojë sot vendin raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein.