TIRANË (AA) – Me ndeshjen e fituar më 11 tetor 2015 me rezultatin 0:3 kundër Armenisë në Jerevan, Shqipëria, është kualifikuar direkt për në finalet e Kampionatit Europian të Futbollit “Francë 2016”. Ky kualifikim konsiderohet historik për Shqipërinë, e cila deri tani, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e një kompeticioni të rëndësishëm futbollistik, evropian ose botëror.
Kjo ndeshje, dhe ky kualifikim ngjalli një entuziazëm të madh mes shqiptarëve kudo që ato jetojnë, duke e shndërruar gati në një festë kombëtare. E pjesë të këtij entuziazmi dhe këtyre emocioneve janë pa dyshim edhe gazetarët sportiv, që i përjetojnë edhe më nga afër emocionet e arritjeve të tilla historike për futbollin shqiptar.
Njëri prej tyre është edhe Defrim Methasani, gazetari i njohur sportiv i Televizionit Shqiptar, i cili në një intervistë për Anadolu Agency (AA), tregon përjetimet për këtë arritje të futbollit shqiptar, por edhe arritje të tjera në të kaluarën, sfidat që e presin në të ardhmen kombëtaren, emocionet e zhvillimeve para dhe pas ndeshjeve Shqipëri-Serbi dhe Armeni-Shqipëri, si dhe modelin e krijuar tashmë nga tifozeria shqiptare brenda dhe jashtë vendit për mbështetjen ndaj Kombëtares së Futbollit.
Në intervistën e realizuar në stadiumin kombëtar “Qemal Stefa”, në Tiranë, i cili ka qenë dëshmitarë i shumë sfidave të kombëtares së Shqipërisë ndër dekada, Methasani shprehet se në 85 vite histori të futbollit shqiptar është arritja kulminante dhe më madhja, ku për herë të parë arrihet kualifikimi në kampionatin Europian. Gjithashtu ai sjell ndërmend edhe ndeshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë të zhvilluar më 4 shtator, ku Kombëtarja Shqiptare fitoi përballe kampiones së Europës në atë kohë.
“Kemi patur suksese, kemi patur ndeshje të mëdha të fituara , madje kemi patur një ndeshje që është quajtur edhe ndeshja e shekullit, Shqipëri-Gjermani, më 17 dhjetor 1967 pikërisht në këtë stadium ku po realizojmë intervistën, që përfundoi 0-0, u eliminua Gjermania që ishte nënkampione e botës dhe nuk vajti në kampionatin Europian. Kemi patur fitoren tjetër historike në 2004, më 4 shtator përballë Greqisë e cila vinte me petkun e kampiones së Europës, sapo ishte kurorëzuar kampione e tillë. Gjithashtu kemi patur fitore tjera me Rusinë, me Belgjikën në 1985, me Rusinë pas viteve 2000 dhe shumë fitore tjera. Por mendoj që kapaku ishte kjo, qershia mbi tortë, sepse për herë të parë shqiptarët realizuan një ëndërr, e prekën atë që ne kemi konsideruar ëndërr, tashmë kemi nj realitet të ri, realitetin Shqipërisë në Evropian”- tregon Methasani.
Ndërsa sa i përket ndeshjes Shqipëri-Serbi, e zhvilluar në “Elbasan Arena”, ai vlerëson se derbi Ballkanas gjithmonë ka ngjallur interes dhe ndoshta ka kaluar kufijtë sportiv, veçmas me shtete të tilla si Greqia dhe Serbia, duke ditur dhe historinë mes vendeve.
Por Methasani mendon që futbolli ka dalë i fituar, më shumë se politika apo dikush tjetër dhe shton ndër të tjera se: “Natyrisht që përballë Serbisë ishte një peshë shumë e madhe psikologjikë e lojtarëve tanë dhe këtë peshë e mbajtën për 90 minuta, por nuk e mbajtën dot për më shumë se 90 minuta. Nëse ndeshja do të ishte 90 minuta, ne ishim të barabartë në fushën e lojës. Futbolli i ngjan një konkursi, dhe nuk e mbajtën dot këtë peshë emocionale që dhuruan 13 mijë njerëz në stadium, por edhe miliona të tjerë në të gjithë botën. Me Greqinë kujtoj ndoshta emocionin më pozitiv të jetës time, që kam kaluar si gazetar sportiv, sepse në këtë stadium në fituam 2-1 dhe kam përjetuar për orë të tëra një emocion të jashtëzakonshëm. E gjithë Tirana, e gjithë Shqipëria ishe në sheshe. U duke sikur në u bëmë kampionët e Europës, jo sikur grekët ishin kampionë të tillë, kjo sepse sfida e sportit i kaloi kufijtë, pasi ishte edhe një lloj sfide patriotike”.
Edhe në këtë sfidë po historike për Ekipin Shqiptar, që mposhti Ekipin e Greqisë, Methasani, ka ndjekur nga afër zhvillimet para dhe pas ndeshjes, duke përcjellë për publikun e gjerë dhe sportdashësit emocionet e jashtëzakonshme që solli fitorja e 11 viteve më parë në kryeqytetin e Shqipërisë.
Gazetari sportiv i cili ka ndjekur nga afër me qindra ndeshje dhe aktivitete sportive të kombëtares, por jo vetëm, tregon se e rëndësishme është që futbolli ka kthyer vëmendjen e simboleve kombëtare. Ai thekson se pas viteve 90 nuk ka qenë kjo ndjenjë dhe ndoshta një meritë të jashtëzakonshme në vlerësimin e tij kanë shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe diasporës. “Si duket ata sollën një model, modelin e atdhetarizmit dhe modelin e respektit ndaj simboleve kombëtare, sepse atyre iu kanë munguar në vite, ndërsa ne kemi jetuar me simbolet kombëtare dhe diçka që të mungon ia din më shumë vlerën. Por tashmë edhe shqiptarët e Shqipërisë janë ndërgjegjësuar dhe duket se futbolli është bërë ambasadori më i bukur shqiptar përtej kufijve dhe brenda vendit, duke u kthyer në një ambasador të vlerave kombëtare dhe patriotike të Shqipërisë”.
Por natyrisht Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll do të ketë sfida të tjera në vazhdim. Methasani, si një njohës i mirë i zhvillimeve sportive tregon se së pari tashmë është sfida e Kampionatit Evropian Francë 2016, duke prekur ëndrrën më të madh në histori , finalet e një Evropiani që nuk janë shijuar asnjëherë. Por nuk do të mbetet tek kjo sfidë, sepse do të jenë edhe ndeshje të tjera, ku Metahasani tregon se shorti i kampionatit botëror “na ka vënë përballë dy skuadrave gjigante dhe që kanë fituar më shumë trofe në Europë dhe botë , Spanja dhe Italia dy, mbretëresha të lojës së bukur të futbollit. Do të jenë sfida të jashtëzakonshme, veçmas ajo me Italinë. Tashmë ne kemi tjetër stad, tjetër prestigj dhe tashmë është Shqipëria e një vendi të vogël me futboll të madh. Ne nuk kemi skuadër yjesh, ne kemi një skuadër yll, një ekip që uroj të na dhurojë emocione dhe të bëjë më të mirën në ‘Francë 2016’”- përfundon Methasani.
Kujtojmë se Ekipi Kombëtar i Futbollit të Shqipërisë për këtë sukses historik u prit në Tiranë me nderime të larta shtetërore, si dhe nga mijëra tifozë që mbushën sheshet dhe rrugët e Tiranës. Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka vlerësuar ekipin Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit me Dekoratën “Nderi i Kombit”.
Teksa shtohen sukseset historike të Kombëtares Shqiptare në Futboll, shteti shqiptar synon fillimin punës për ndërtimin e stadiumit të ri në Tiranë, që sipas kryeministrit Edi Rama, do të quhet “Arena Kombëtare në Tiranë”. Kjo u bë e ditur nga vetë Rama gjatë pritjes në kryeministri që i rezervoi Ekipit kombëtar, trajnerit Gianni De Biasi dhe stafit të FSHF-së.
Rama iu drejtua futbollisteve të Kombëtares se “Arena Kombëtare do t’iu kushtohet atyre dhe në hyrjen e saj do të shkruhen në një pllakë të artë, të gjithë emrat ekipit që solli këtë fitore historike për futbollin shqiptar.