Bekim Laci
21 Nëntor 2015•Përditësim: 21 Nëntor 2015
SHKUP (AA) - Me 66 vota 'pro' dhe 28 'kundër', deputetët në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, pak para mesnate, miratuan buxhetin për vitin 2016. Bëhet fjalë për buxhetin më të madh deri më tani, me vlerë prej 3.2 miliardë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).
Deputetët e opozitës votuan 'kundër' sepse siç theksuan ky buxhet është joreal dhe i parealizueshëm. Shteti, sipas tyre, ka borxh publik që kap shifrat prej 4 miliardë eurosh dhe se buxheti i ri do të nënkuptojë borxhe të reja dhe qytetarë të varfër.
Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, para votimit tha se shpenzimet nga buxheti për vitin e ardhshëm janë projektuar në 195.7 miliardë denarë dhe janë për 4.7 përqind më të larta se ato në vitin 2015 ndërsa të hyrat e përgjithshme janë 176.8 miliardë denarë ku ka rritje për 6 përqind krahasuar me vitin 2015.
Stavrevski tha se rritja ekonomike pritet të jetë 4 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Vendor (PBV) ndërsa inflacioni 2 përqind.