Bekim Laci
04 shkurt 2016•Përditësim: 04 shkurt 2016
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot do të marrë pjesë në "Samitin për mbështetje të Sirisë dhe rajonit", i cili mbahet në Londër, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në të cilën konferencë do të ketë adresimin e vet, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive, siç njoftojnë nga kabineti presidencial, është të krijohen fonde dhe ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për të ripërtërirë Sirinë dhe për të mbështetur vendet të cilat janë të goditura nga vala e refugjatëve, dhe që janë qëllimi final në rrugëtimin e refugjatëve.
Sipas parashikimeve pritet që pjesëmarrësit në takimin e sotëm të arrijnë marrëveshje me qëllim për të ndihmuar popullsinë civile në Siri, dhe të gjejnë mundësi ekonomike për të siguruar vende pune për refugjatët, si dhe qasje të barabartë në sistemin arsimor për fëmijët refugjatë.
Qëllimi përfundimtar, sipas njoftimit të organizatorëve, është reduktimin i fluksit të refugjatëve në vendet evropiane.
Nikoqir i konferencës është kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron në bashkëpunim me emirin e Kuvajtit, Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministrin e Mbretërisë së Norvegjisë, Erna Solberg dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.
Në Samit është planifikuar pjesëmarrja e liderëve nga më shumë se 70 vende të botës, zyrtarë të OKB-së, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe privat.