Bekim Laci
01 Shtator 2017•Përditësim: 01 Shtator 2017
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit, me ç‘rast ka dërguar një letër urimi në adresë të kreut të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman efendi Rexhepi, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Më lejoni që ju personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftive, imamëve dhe të gjithë qytetarëve të besimit islam në Republikën e Maqedonisë të ju dërgoj urimet më të sinqerta me rastin e festës së Kurban Bajramit”, thuhet në urimin e Ivanovit.
Në letrën e tij, presidenti i Maqedonisë uron që besimtarët muslimanë të kalojnë festën në harmoni me më të dashurit e tyre.
“Dëshiroj të shpreh bindjen time se Bashkësia Fetare Islame dhe të gjithë besimtarët e saj si pjesë e pandashme e shoqërisë së Maqedonisë, do të vazhdojnë të kontribuojnë aktivisht në ndërtimin e respektit dhe mirëkuptimit midis besimeve dhe etnive të ndryshme në Republikën e Maqedonisë”, përfundon urimi i presidentit Ivanov.