Prezantohet në Tiranë Platforma e Indikatorëve të Zhvillimit Rajonal
Ky aktivitet kishte për qëllim prezantimin e platformës që synon nxitjen e konkurrencës mes vendeve të Ballkanit nëpërmjet krahasimit të performancës së tyre në 4 fusha kryesore, si ekonomia, qeverisja, shteti ligjor dhe siguria, si dhe zhvillimi social
Malik Hasa
29 Janar 2016•Përditësim: 29 Janar 2016
TiranëTIRANË (AA) - Është organizuar sot në Tiranë nga disa organizata të shoqërisë civile në Shqipëri dhe Kosovë, në bashkëpunim me institucione shtetërore, tryeza e rrumbullakët për prezantimin e “Platformës së Indikatorëve të Zhvillimit Rajonal”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky aktivitet kishte për qëllim prezantimin e platformës në fjalë e cila synon nxitjen e konkurrencës mes vendeve të Ballkanit nëpërmjet krahasimit të performancës së tyre në 4 fusha kryesore, si ekonomia, qeverisja, shteti ligjor dhe siguria, si dhe zhvillimi social.
Sipas organizatorëve të tryezës së diskutimit në platformë gjenden më shumë se 200 indikatorë nga 6 vende të Ballkanit (Shqiperi, Kosovë, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal i Zi).
Gjithashtu, kjo platformë bën të mundur organizimin e të dhënave në mënyrë të tillë që të jenë lehtësisht të aksesueshme dhe të krahasueshme nga institucionet publike, gazetarët, universitetet, sektori privat dhe publiku i gjerë, për realizmin e analizave krahasimore. Qëllimi final është informimi i publikut për shkallen e zhvillimit të Shqiperise në fusha të ndryshme, krahasur me vendet e tjera të Ballkanit.
Në panelin e folësve morën pjesë përfaqësues të lartë të Institutit të Statistikave të shqipërisë, (INSTAT), Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë, studiues dhe koordinatorët e platformës për Kosovën.