Ata Ufuk Şeker
28 qershor 2016•Përditësim: 28 qershor 2016
BRUKSEL (AA) – Në bisedimet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), këtë javë do të hapet kapitulli 33 me titull “Dispozitat financiare dhe buxhetore” që njëkohësisht është kapitulli i dytë brenda gjashtë muajve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet ditën e enjte në Bruksel me rastin e hapjes së kapitullit, do të marrin pjesë ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushoglu, ministri i Çështjeve të Bashkimit Evropian dhe Kryenegociatori Omer Çelik dhe ministri i Financave Naci Agbal.
Dispozitat Financiare dhe Buxhetore, krahas anëtarësimit, përfshijnë edhe rregulla në lidhje me burimet e nevojshme financiare për fondet që do të sigurohen për buxhetin e BE-së.
-“E rëndësishme në aspektin e vijimësisë së bisedimeve për anëtarësim”
Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në BE Ambasadori Selim Yenel, duke theksuar se kapitulli 33 në thelb është kapitull i hapur në një kohë afër anëtarësimit në BE, tha se hapja e kapitullit është e rëndësishme në aspektin e vijimësisë së bisedimeve.
-“Ende qëndrojnë pesë kapitujt të cilët grekët i pengojnë”
Duke u shprehur se me hapjen e kapitullit 33 këtë javë do plotësohet hapja e kapitullit të 16-të në total, Yenel tha se “Ende qëndrojnë pesë kapitujt të cilët grekët i pengojnë. Nëse shënohet përparim në çështjen e Qipros, nëse mund të arrijmë në një rezultat përfundimtar, atëherë këto kapituj mund të hapen në mënyrë shumë të shpejtë, ndërsa bisedimet për anëtarësim mund t’i kthehen rrjedhës normale.”
- Do të diskutohet rreth kritereve për liberalizimin e vizave
Yenel bëri të ditur se me rastin e hapjes së kapitullit, këtë javë në Bruksel do të qëndrojnë ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushoglu, ministri i Çështjeve të Bashkimit Evropian dhe Kryenegociatori Omer Çelik dhe ministri i Financave Naci Agbal. Ai vlerësoi më tej se “Krahas kësaj, ka disa kritere që nuk janë plotësuar në kuadër të liberalizimit të vizave. Kishte pesë kritere. Në lidhje me këto, ministri ynë i BE-së dhe ministri ynë i jashtëm do të zhvillojnë një takim me Zëvendësin e Parë të Presidentit të Komisionit Evropian Frans Timmermans pas Konferencës Ndërqeveritare. Do të diskutohet rreth pesë kritereve të ngelura. Në drejtim të kësaj, do të hartohet një udhërrëfyes dhe qëllimi ynë do të jetë që sa më parë ta fitojmë liberalizimin e vizave.”
- Britania gjithsesi kishte pozitë prioritare në BE
Në lidhje me largimin e Britanisë nga BE-ja, Yenel tha se “Britania gjithsesi kishte pozitë prioritare në BE. Nuk ishte në Schengen dhe në Eurozonë, e nuk ishte subjekt edhe i një sërë dispozitash të tjera. Gjithsesi, ajo e kishte ndarë veten nga shumë vende. Duke qenë kështu, Britania ishte në pozitën e një anëtari me prioritet. Tani po heq dorë nga kjo.”