Elena Teslova
13 Maj 2024•Përditësim: 13 Maj 2024
Presidenti rus Vladimir Putin vendosi të shkarkojë Sergey Shoygu-n nga posti i ministrit të Mbrojtjes në një prej ndryshimeve të rralla të kabinetit, transmeton Anadolu.
Shoygu, një nga aleatët e vjetër të presidentit rus, kishte mbajtur postin që nga viti 2012.
Sipas një dekreti të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit, Putin emëroi Shoygun si sekretar të Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe rekomandoi në postin e tij Andrei Belousov-in, një ish-zv.kryeministër i specializuar në ekonomi.
Duke komentuar vendimin e Putinit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një zyrtar civil do të marrë postin e kreut të Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të nevojës për të futur risi në funksionimin e saj.
Belousov gjithashtu do të merret me detyrën e lehtësimit të integrimit të ekonomisë së mbrojtjes në ekonominë e vendit.
Kreu i mëparshëm i Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, është emëruar në një post të ri që do të shpallet në ditët në vijim, tha Peskov.
Ai shtoi se ministrat e tjerë përgjegjës për aspekte të ndryshme të sigurisë, si dhe ministri i Jashtëm, do të jenë të njëjtë si në kabinetin e mëparshëm.
Parlamenti rus do të shqyrtojë kandidatët për poste ministrore javën e ardhshme.