Nazmi Abduramani
21 Qershor 2016•Përditësim: 21 Qershor 2016
BRUKSEL (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në Bruksel nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e kabinetit presidencial, Presidenti Thaçi e njoftoi presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt jetësimit të liberalizimit të vizave.
“Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret një vendim meritor nga Bashkimi Evropian për punën e bërë nga institucionet e vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai theksoi se Kosova mbetet e angazhuar në konsolidimin e mëtejmë të shtetit, ndërsa e falënderoi presidentin Schulz për angazhimin e tij, të raportueses së BE-së, Tanja Fajon, si dhe të Parlamentit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Nga ana tjetër, presidenti i Parlamentit Evropian, Schulz, theksoi se liberalizimi i vizave është tema kryesore që preokupon Kosovën në marrëdhëniet e saj me BE-në. Ai ka shprehur bindjen se për Kosovën do të ketë një vendim meritor për angazhimin e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, presidenti i Kosovës, Thaçi, do të pritet edhe nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.