Malik Hasa
09 Prill 2016•Përditësim: 10 Prill 2016
TIRANË (AA) – Sot në të gjithë Shqipërinë po zhvillohet referendumi në radhët e anëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS) rreth mandatit të kryetarit të saj, njëkohësisht kryeministrit të vendit, Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).
Pyetja që iu parashtrohet anëtarëve të partisë në pushtet, është: “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është i zgjedhur kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit?”.
Vendimi për mbajtjen e këtij referendumi është marrë në kongresin e kësaj partie e cili mbajt më 19 mars të këtij viti.
Kreu i PS-së, në një prononcim pas votimit të tij theksoi se anëtarësia do të shfrytëzojë këtë instrument demokratik, për t’u shprehur lidhur me një çështje të brendshme të Partisë Socialiste, që edhe një herë tjetër dëshmon, sipas tij, se është një forcë transformuese, jo vetëm në qeverisjen e vendit, por edhe në demokracinë aktive të brendshme.
“Është një moment shumë i rëndësishëm, sepse është hera e parë në këtë histori të re të pluralizmit, që një parti i drejtohet instrumentit të referendumit dhe u jep mundësi të gjithë pjesëtarëve të familjes së saj për të qenë pjesë e një vendimmarrje me rëndësi”- u shpreh Rama.