Bekim Laci
13 Prill 2016•Përditësim: 13 Prill 2016
SHKUP (AA) - Kryeshefi i Armatës së Republikës së Maqedonisë (АRМ), gjeneral nënkoloneli Metodija Veliçkovski ka takuar në Londër kryeshefin e shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Mbretërisë së Bashkuar, gjeneralin Ser, Nikollas Patrik Karter, transmeton Anadolun Agency (AA).
Në takimin që ishte i pari mes kryeshefave të armatave të të dyja vendeve, është diskutuar për krizën e emigrantëve dhe rreziqet e sigurisë në shtetet e Evropës Juglindore, si dhe thellimi i bashkëpunimit, etj.
Në njoftim thuhet se gjenerali Veliçkovski ka falënderuar Britaninë për ndihmën logjistike të ofruar gjatë misionit ISAF ku Maqedonia ka pasur një mundësi të prezantojë forcat e armatosura të vendit.
Të dy bashkëbiseduesit kanë theksuar nevojën për një partneritet strategjik mes Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe në veçanti në këtë periudhe delikate me kërcënime terroriste dhe krizë me emigrantët që paraqesin kërcënim për një destabilizim të të gjithë shteteve të Evropës, thuhet më tej në kumtesën e Armatës së Maqedonisë.
Gjenerali Ser, Nikollas Patrik Karter, ka shprehur falënderimin e tij për pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe për rolin e saj në përballje me krizën me emigrantët dhe është pajtuar me konstatimin e Veliçkovskit se Maqedonia duhet sa më parë të anëtarësohet në NATO.