Fatjon Cuka
16 Shkurt 2017•Përditësim: 16 Shkurt 2017
TIRANË (AA) - Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me debate të ashpra dhe incidente mes deputeteve të maxhorancës dhe opozitës, raporton Anadolu Agency (AA).
Situata është tensionuar në momentet kur deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka tentuar të godasë deputetin e Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Më pas nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, njëkohësisht drejtuesja e seancës parlamentare, ka ndërprerë seancën për disa minuta, duke kërkuar përjashtimin nga seanca të deputetit Noka.
Pas rifillimit seanca është ndërprerë përsëri, pasi deputete e opozitës kanë kërkuar që nga seanca të përjashtohet edhe deputeti Braçe, me pretendimin se ka shkelur rregulloren e Kuvendit.
Në seancën e sotme janë planifikuar për diskutim dhe miratim disa projektligje, mes tyre edhe projektligji “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”.