Bekim Laci
29 Prill 2016•Përditësim: 29 Prill 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin diskutoi për hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton kabineti presidencial, në takim është biseduar lidhur me përgatitjet dhe mbështetjen e plotë të Presidentit Thaçi për takimin e radhës së dy qeverive që do të mbahet më 3 qershor, në Prishtinë.
"Folëm edhe për prioritetet tona të përbashkëta në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka pohuar Presidenti Thaçi.
Presidenti i Kosovës ka theksuar edhe përkushtimin për një fqinjësi të mirë, për një rajon të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit si dhe për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta për integrimet euroatlantike, që edhe Kosova, sa më shpejt të jetë e mundur, të sigurojë liberalizimin e vizave tani.
“Në ditët e ardhshme presim edhe vendimin pozitiv nga Brukseli, ndërsa po vazhdojmë të punojmë që sa më parë të bëhemi pjesë e programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, e gradualisht, bashkërisht të afrohemi në familjen e madhe në Bruksel, si Kosova e Shqipëria, ashtu edhe i gjithë rajoni”, theksoi Thaçi.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se Presidenti Thaçi ka qenë një inkurajues i madh i të gjitha nismave dhe i gjithë bashkëpunimit që ekziston midis dy vendeve gjatë viteve të kaluara dhe në vazhdim. “Gjeta mirëkuptim të plotë për të gjitha temat që diskutuam për një thellim të vazhdueshëm të bashkëpunimit institucional, bashkëpunimit shpirtëror, që si Shqipëria, ashtu edhe Kosova të jenë pjesë e familjes evropiane nëpërmjet reformave që qeveritë e dy vendeve kanë ndërmarrë”, tha ambasadori Minxhozi.