Bekim Laci
30 Qershor 2016•Përditësim: 30 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim ushtruesin e ri të detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, pas miratimit të ligjit të ri si dhe pas ristrukturimit të misionit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton kabineti presidencial përmes një kumtese, Thaçi ka thënë se është vendosur një traditë e mirë e bashkëpunimit mes institucioneve kosovare dhe EULEX-it, i cili sipas tij do të duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Thaçi i ka thënë ushtruesit të ri të detyrës së shefit të EULEX-it se institucionet e Kosovës kanë shtuar kapacitetet e veta dhe se janë të gatshme të marrin edhe më shumë kompetenca.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar atë për bashkëpunimin e EULEX-it me Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë si dhe me të gjitha institucionet e tjera relevante të Kosovës.
"Ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, nga ana e tij theksoi se EULEX-i do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës edhe pas ristrukturimit të brendshëm të misionit", thuhet në njoftim.