Sibel Vezaj
30 Qershor 2016•Përditësim: 01 Korrik 2016
PRISHTINË (AA) - Edhe pse Kosova ka ligje të mira mbi barazinë gjinore, zbatimi i tyre ende mbetet një sfidë e madhe, u tha sot në një konsultim të nivelit të lartë në procesin e integrimit evropian dhe të barazisë gjinore. Ky konsultim u organizua në bashkëpunimin e Ministrisë së Integrimit Evropian, Agjencisë për Barazi Gjinore dhe Qendrës Kosovare për Studime Gjinor, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke theksuar vlerat e demokrasë, të barazisë gjinore dhe të asaj nacionale u shpreh se duhet krijuar kushte të barabarta për kyçjen e të gjithë qytetarëve në proceset zhvillimore, të arsimit, të kulturës dhe në atë të punës. Ai shtoi se në vendet ku ka angazhim me të madh të gjinisë femërore në proceset ekonomike dhe zhvillimore, ato vende kanë progres më të madh dhe kanë arritur t’i zgjidhin problemet më lehtë.
“Tani nuk vuajmë nga ajo se nuk kemi ligje, që këto ligje nuk janë në harmoni me standardet evrpiane dhe ato botërore por ngecim në pikëpamje të implementimit të mjaftueshëm të tyre, të cilat do të krijonin kushte me të mira, të një pjesëmarrjeje më të madhe të gruas dhe të vajzave në këto procese”, u shpreh Mustafa.
Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku u shpreh se pa një integrim të gjithanshëm dhe pa një trajtim afatgjatë të çështjes së barazisë gjinore nuk do të jetë e mundur edhe integrimi evropian. Ai shtoi se ligjet e kanë adresuar në mënyrë më të mirë çështjen e barazisë gjinore, por që problemi qëndron në praktikë, e cila nuk funksionon si në kushtetutë.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosova për Studime Gjinore, Luljeta Demolli u shpreh se barazia gjinore nuk mund të trajtohet e izoluar prej ndikimit të standardave evropiane dhe vuri në dukje se investimet dhe përpjekjet për barazinë gjinore do të ishte shumë më mirë sikur të bëheshin me iniciativa vendore e jo pas kërkesave dhe imponimeve të partnerëve në BE.
Ndërkohë kryetare e grupit të grave Deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës Blerta Deliu- Kodra u shpreh se Kosova ka ende një përqindje shumë të vogël të pjesëmarrjes së gruas në Qeverinë e Kosovës , në të cilën ka vetëm dy ministra femra, dhe se vetëm 12 përqind të tyre marrin pjesë në bordet drejtuese të kompanive publike. Ajo tha se nga 15.000 të punësuarve në ndërmarrjet publike vetëm 12 përqind e tyre janë gra.
“Duhet të vendosen kota gjinore jo vetëm për bërjen e listave gjinore që u potencua në kuvend, por edhe për bërjen e bordeve publike. Këtu praktikën e kanë përcjellë edhe shtetet me demokraci të fuqishme siç janë Norvegjia, e cila në vitin 2003 ka vendosur një kod gjinore me 40 përqin, pastaj shembullin e njëjtë e kanë përcjellë edhe shtetet tjera evropiane si Spanja, Franca, Islanda dhe Holanda”, u shpreh Deliu-Kodra.