Fatjon Cuka
20 Nëntor 2015•Përditësim: 20 Nëntor 2015
TIRANË (AA) – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po organizon sot në Tiranë “Forumin për Zhvillimin e medias”, një tryezë e rrumbullakët ku ekspertët e medias diskutojnë për çështjet kryesore të medias në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapje të forumit, mbajti një fjalim edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, si dhe ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike të Shqiëprisë, Milena Harito.
Raunig ka deklaruar se me shikim të parë, peizazhi mediatik në Shqipëri duket mjaft i gjallë e dinamik, ku numri i mediave vizive, dixhitale dhe të shkruara është i madh, sipas vlerësimit të tij në raport me publikun relativisht të vogël në numër.
“Por, po ta shohësh nga afër, kupton se ky numër i madh subjektesh mediatike ofron, në fakt, përmbajtje shumë të kufizuar dhe është shpesh i bujshëm e me besueshmëri të kufizuar. Gjithashtu, media përqendrohet shumë në çështjet e brendshme, që rezultojnë në problematika për të cilat publiku mediatik shqiptar ka pak njohuri se çfarë ndodh jashtë Shqipërisë, sidomos në vendet fqinje”- u shpreh ambasadori Raunig.
Forumi për Zhvillimin e Medias, në vlerësimin e Raunig është ideuar si platformë për dialog profesional rreth çështjeve kyçe në Shqipëri si, reformimi i transmetuesit publik, dixhitalizimi, kushtet e punës të gazetarëve dhe standardet profesionale në media.
Ai ka shtuar se sfida e dytë kyçe, që do të diskutohet në këtë forum, është punësimi dhe pozita sociale e gazetarëve. Raunig shprehet se transformimi kurrë nuk është proces i lehtë dhe sipas tij përmirësimi i pozitave të medias në Shqipëri kërkon angazhim të qartë dhe të gjerë politik, por edhe angazhimin dhe aktivizimin e vetë gazetarëve dhe shoqërisë civile me profil mediatik.
Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike të Shqiëprisë, Milena Harito u shpreh në fjalën e saj se raport progresi për Shqipërinë tregon se transparenca për pronësinë e medias është përmirësuar.
Forumi në fjalë organizohet në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, transmetuesin publik kombëtar (RTSH), Bashkimin Evropian të Transmetimeve (EBU) dhe Këshillin e Evropës, si dhe organizmat që merren me të drejtat e medias.