Bekim Laci
28 Shkurt 2019•Përditësim: 01 Mars 2019
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Rumani, ku në fillim të vizitës u prit në takim nga kryeministrja rumune Viorica Dançilla, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministrja rumune Dançilla, informoi mysafirin e saj nga Shkupi se vendi i saj tashmë ka filluar procedurat për ratifikimin e Protokollit për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, pasi i njëjti u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve. Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, thuhet në kumtesën e kabinetit të Zaevit, ajo tha se pret që procesi të përfundojë me një shpejtësi në mënyrë që Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.
Dançilla ripërsëriti qëndrimin e vendit të saj që është afirmativ lidhur me zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo tha se pret që politikat e zgjerimit të BE-së të konfirmohen në qershor, për çka inkurajoi vendin të vazhdojë zbatimin e reformave.
Në njoftimet e tij për shtyp, Zaev falënderoi Rumaninë për ratifikimin e Protokollit dhe për mbështetjen që i jep Maqedonisë së Veriut në aspiratat euro-atlantike, pasi pritjet e qytetarëve janë që në qershor vendi të marrë një datë për çelje të negociatave me BE-në.
“BE dhe NATO për Republikën e Maqedonisë së Veriut njëjtë si dhe për rajonin por edhe për Evropën janë një nevojë. Do të thonë stabilitet, siguri, ekonomi, përparim. Për vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe për Evropën të cilës ne i përkasim edhe gjeografikisht kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme në mënyrë që të mund të zhvillohet”, tha Zaev.
Ai shtoi se është e një rëndësie të veçantë që me kryeministren rumune janë pajtuar që të arrihet marrëveshje për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësinë e mbajtjes së një forumi të biznesit.
Pasditen e sotme Zaev pritet të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Liviu Dragnea si dhe me nënpresidentin e Senatit rumun, Julian Claudiu Manda.