Besar Ademi
15 Tetor 2017•Përditësim: 16 Tetor 2017
SHKUP (AA) – Në Maqedoni rreth orës 19:00 janë mbyllur pothuajse të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet lokale, ndërsa pas dorëzimit të materialeve zgjedhore nga komisionet komunale do të fillojë edhe numërimi i votave, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) më herët njoftoi se pjesëmarrja në votim deri në orën 17:00 në tërë territorin e Maqedonisë, sipas të dhënave të marra nga komisionet komunale, është 49,14 për qind.
Deri në të njëjtën kohë, pjesëmarrja më e madhe në Maqedoni është shënuar në Vevçani me 72,05 për qind, ndërsa më e vogël është shënuar në komunën Mavrovo-Rostushe me 31,19 për qind.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftuan se deri në orën 17:30 procesi i votimit ka vazhduar pa probleme serioze ose shkelje të rënda të rendit. Nga atje njoftuan se në disa vende votimi është ndërprerë për shkaqe teknike dhe pastaj ka vazhduar rregullisht.
MPB ka identifikuar disa incidente të vogla të tilla si fotografimi fletëvotimeve, përpjekje për të votuar në emër të të afërmeve, si dhe një përpjekje për përplasje fizike mes një votuesi dhe anëtari të bordit zgjedhor.
Kutitë e votimit u hapën në orën 07:00 përveç në disa vendvotime të cilat u hapën me disa minuta vonesë për shkaqe teknike.
Në raundin e parë të zgjedhjeve të gjashta lokale, 1.814.644 qytetarë nga gjithsej 2.073.702 qytetarë të Maqedonisë patën mundësinë të prononcohen për 260 kandidatë për kryetar komunash, si dhe për 6.627 kandidatë për këshilltarë komunal nga gjithsej 372 lista të ndryshme.
Raundi i parë i zgjedhjeve të gjashta lokale në Maqedoni u realizua në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor.
Fushata zgjedhore e cila zgjati 21 ditë, filloi më 25 shtator dhe përfundoi më 13 tetor në mesnatë. Sipas legjislacionit zgjedhor të Maqedonisë, të drejtën e votimit gjatë ditës së djeshme e shfrytëzuan të sëmurit, të pafuqishmit, të shpërngulurit, si dhe të burgosurit në institucionet ndëshkuese-përmirësuese.
Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni me anë të të cilave do të zgjidhet qeveria e re lokale për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013.