Aplikacioni i famshëm FaceApp, i cili u ofron përdoruesve një vështrim në atë se si mund të duken ata në të ardhmen, ka ngritur shqetësime të shumta për privatësinë, thonë ekspertët, raporton Anadolu Agency (AA).
E zhvilluar nga kompania ruse Wireless Lab në vitin 2017, FaceApp ka një mënyrë algoritmike për të gjeneruar transformime shumë realiste të fytyrave në fotografi duke përdorur inteligjencën artificiale.
Aplikacioni ka pasur një "efekt të topit të borës" në mediat sociale duke u mundësuar njerëzve të duken më të rinj, më të vjetër apo edhe të ndryshojnë gjininë e tyre.
"Kur e shkarkoni aplikacionin, ai mund të hyjë në të dhënat tuaja private, galerinë e fotove, e-mail adresën, në numrin e telefonëve apo edhe në llogarinë tuaj bankare. Kështu që ju u lejoni të tjerëve të futen në hapësirën tuaj personale duke shkarkuar aplikacionin", tha Ali Burak Darıcılı nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Bursas.
Darıcılı, i cili është autor i Analizës Krahasuese të SHBA-ve dhe Strategjive Ruse të Sigurisë Kibernetike, tha një studim intensiv kërkohet të përcaktuar se pse ky aplikacion u bë i famshëm në mënyrë të papritur.
"Kjo mund të mos jetë një çështje shqetësuese për qytetarët e zakonshëm, por nëse jeni një zyrtar i lartë shtetëror ose inxhinier, motivet, dobësitë ose orientimet tuaja seksuale mund të zbulohen", thotë Darıcılı, duke shtuar se këta njerëz mund të kërcënoheshin me të dhënat e tyre personale nga abuzuesit, duke i detyruar përdoruesit që në fund të bëhen spiunë.
Ai ishte skeptik nëse të dhënat e përdoruesve mund të konfiskoheshin nga inteligjenca ruse.
"SHBA-të janë një nga vendet që janë të shqetësuara për FaceApp pasi e konsideron Rusinë kërcënimin më të madh në lidhje me shërbimin e saj të inteligjencës", tha Darıcılı.
Ai tha se SHBA-të e marrin këtë çështje seriozisht pasi është e vështirë të zbulohen aktivitetet e spiunazhit nga Rusia, të cilat do të synojnë sigurinë kombëtare amerikane, teknologjinë industriale ose aktivitetet kërkimore dhe zhvillimore.
Darıcılı shtoi se agjencitë e inteligjencës mund të zbulojnë kërcënime të tilla spiunazhi për të marrë masat e nevojshme.
"Të qëndruarit larg aplikacioneve të tilla është një mënyrë ideale për të mbrojtur veten. Ju mund të paktën të fshini aplikacionin pas përdorimit të tij", theksoi ai.
- Mjet për vjedhje virtuale
"Aplikacionet për plakjen e fytyrës, të cilat kanë efektin e topit të borës (që stërzmadhohet), janë bërë aplikacionet më të njohura kohët e fundit", tha Deniz Unay, një specialist i medias sociale në Stamboll, duke shtuar se Turqia është një nga shkarkuesit më të mëdhenj të aplikacionit, përfshirë edhe persona të famshëm.
Duke folur për rreziqet e aplikacioneve të tilla, ai tha se edhe pse është e vështirë të parashikohet se si këto të dhëna do të përdoren në të ardhmen, një mënyrë e përdorimit të të dhënave private mund të jetë vjedhja virtuale.
"Është e qartë se ky aplikacion është duke vjedhur të dhëna. Duhet ta mbani mend se aplikacioni mund të marrë të gjitha llojet e të dhënave", thotë ai, duke u kërkuar përdoruesve të mos shkarkojnë aplikacione të tilla.
"Nëse supozojmë se njohja e fytyrës do të përdoret në të ardhmen nga disa kompani private, përfshirë bankat, kjo mund të çojë në probleme të mëdha pasi të dhënat ruhen nga dikush tjetër", paralajmëroi ai.
Në anën tjetër, Unay gjithashtu theksoi përfitimet e mundshme të FaceApp, duke thënë se mund të përdoret për të gjetur kriminelët pasi që tiparet e tyre të fytyrës mund të ruhen në arkivin e aplikacionit.
"Një kriminel që ka përdorur FaceApp në Kinë u zbulua dhe u kap nga 50 mijë njerëz në një sallë koncertesh falë sistemit të njohjes së fytyrës", tha ai.
Nasser S. Al-Azwani, kreu i sigurisë së sistemeve dhe administratës në Universitetin Sulltan Qaboos të Omanit, tha se aplikacionet e plakjes së fytyrës si FaceApp u bënë të njohura me përhapjen e kësaj teknologjie.
"Njerëzit janë plot kurreshtje për ta provuar atë (FaceApp) pa menduar për shqetësimet e privatësisë së tyre dhe pasojat e mundshme", tha Al-Azwani, i cili ka kryer studime në lidhje me çështjet e sigurisë kibernetike në City, Universitetin e Londrës.
Duke u pajtuar me termat dhe kushtet e politikave të privatësisë së aplikacionit, përdoruesit i japin pëlqimin e tyre aplikacionit për të shpërndarë informatat e përdoruesve, përfshirë informatat personale, me kompani të tjera, tha Al-Azwani, duke shtuar se njerëzit nuk kanë njohuri të mjaftueshme teknike rreth mekanizmave të këtyre aplikacioneve të përpunimit të imazheve dhe metodologjisë së ruajtjes.