Ebru Şengül Cevrioğlu
03 Nëntor 2021•Përditësim: 04 Nëntor 2021
Bashkimi Evropian (BE) duhet të miratojë masa, veçanërisht rregulla për ruajtjen e gazit, që do ta bëjnë më të vështirë përdorimin e furnizimeve me gaz si mjet negocimi, tha për Anadolu Agency (AA) Jakub Groszkowski, drejtor ekzekutiv i asociacionit "Partnerët e Evropës Qendrore për Energjinë" (CEEP).
Groszkowski akuzoi Rusinë për përdorimin e furnizimeve me gaz si një armë politike në Moldavi dhe se sillet si një furnizues jo i besueshëm i gazit ndaj BE-së, duke marrë si shembull vendimin e fundit të Rusisë për mbushjen e depozitave të gazit në Evropë.
"Siç e kemi parë të gjithë kohët e fundit, një vendim se kur të fillonte mbushja e depove të gazit të Gazprom-it në Austri dhe Gjermani duhej të merrej dhe shpallej nga presidenti Vladimir Putin. Kremlini nuk e fsheh se po luan një lojë politike dhe qëllimi është të vë në funksion gazsjellësin Rrjedha e Veriut-2 kundër ligjit të BE-së", tha ai.
Groszkowski u kërkoi udhëheqësve të BE-së që të marrin mësim nga kjo dhe të miratojnë masa dhe të nxisin rregulla për ruajtjen e gazit për ta bërë më të vështirë përdorimin e gazit si mjet negocimi.
CEEP gjithashtu pret që institucionet e BE-së të përkujdesen për problemet strukturore që kanë shkaktuar krizën aktuale të energjisë, që ai i quan "problem evropian".
Ai tha se rritja ekonomike pas COVID-it dhe kushtet e motit në muajt e mëparshëm kontribuan në rritjen e çmimit të energjisë, por gjithashtu theksoi se ndikuan edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktorët strukturorë si spekulimet në Sistemin e Tregtisë së Emisioneve (tregu ETS) dhe varësia nga furnizimet me gaz nga Rusia.
"Shtetet anëtare të BE-së kanë disa mjete për të lehtësuar disa nga pasojat e krizës, por vetëm në nivel të BE-së mund të miratojmë masa që do të zvogëlojnë rrezikun e një përsëritjeje të një krize të ngjashme në të ardhmen e afërt", tha ai.
- "Kostot e ngrohjes po rriten"
Kriza e energjisë ka rezultuar në rritje të çmimeve të gazit në të gjithë Evropën, ku qymyri po hiqet gradualisht. Megjithatë, për të përmbushur kërkesën, disa shtete anëtare janë rikthyer te qymyri, të paktën përkohësisht.
Sipas Groszkowski-t, kostot më të larta të energjisë i kanë vënë në vështirësi shumë shpërndarës. Një rast i tillë u pa në Republikën Çeke ku furnizuesi kryesor i gazit dhe energjisë elektrike, Bohemia Energy, përfundoi furnizimet për pothuajse një milion familje dhe kompanitë e vogla dhe të mesme në tetor. Kompania shpjegoi se këto furnizime tani mbulohen nga të ashtuquajturit "furnizues të mjetit të fundit", por këto familje përballen me kosto dukshëm më të larta.
Ai paralajmëroi rrezikun që furnizuesit e tjerë alternativë në vendet e tjera anëtare të BE-së mund të ndjekin shembullin në muajt në vijim, në mes të sezonit të ngrohjes.
"Kostot e ngrohjes po rriten, ndaj për të shmangur një skenar të tillë, shumë prodhues dhe furnizues të vegjël të ngrohjes do të duhet të rrisin faturat e tyre, gjë që do të rrisë problemin e varfërisë energjetike", tha ai.
- "Gazi natyror është aktualisht zgjidhja më e mirë në dispozicion"
Groszkowski nënvizoi nevojën për të investuar në infrastrukturën e re të lidhur me gazin për ta mbajtur sektorin elastik për të përmbushur rolin e tij kyç në tranzicionin e BE-së drejt një ekonomie me emetime neto zero.
"Ne jemi të bindur se gazi natyror, së bashku me energjinë bërthamore, duhet të konsiderohet i qëndrueshëm në rregullat e taksonomisë së BE-së. Natyrisht, gazi natyror është një lëndë djegëse fosile dhe metani është një gaz i fuqishëm serrë, megjithatë, aktualisht është zgjidhja më e mirë në dispozicion për ruajtje sezonale të energjisë, si dhe prodhim fleksibël dhe lehtë të dërgueshëm të energjisë", tha ai.
Duke pranuar rolin që do të luajnë teknologjitë e hidrogjenit të gjelbër dhe baterive të reja në të ardhmen, ai tha se problemet e sotme duhet të zgjidhen me teknologjitë që janë të disponueshme tani në sektorin e gazit.
Ai sugjeroi të pritej deri në pranverë për të parë se çfarë ndikimi do të kishte kriza e energjisë në diskutimin politik në lidhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe paketën "Fit for 55", të cilën BE-ja e zbuloi këtë korrik në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër me një zotim për të reduktuar emetimet në të paktën 55 për qind deri në vitin 2030, krahasuar me vitin 1990.
Ai tha se kjo aktualisht është një çështje polarizuese si në Parlamentin Evropian, ashtu edhe në Këshillin Evropian.
"Ajo që dimë tashmë është se qëndrueshmëria e sektorit të energjisë gjatë periudhës së tranzicionit është një çështje që nuk mund të nënvlerësohet, dhe gjithashtu duhet të shikojmë më me kujdes këto elemente të paketës 'Fit for 55' që ndikon në kostot e tranzicionit në nivel familjesh", tha ai.