Zuhal Demirci
19 Shtator 2023•Përditësim: 20 Shtator 2023
Rreth 24 mijë mjekë specialistë në Britani të Madhe kanë hyrë në grevë 2-ditore për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme me qeverinë për rritjen e pagave, transmeton Anadolu.
Mjekët specialistë, të cilët dolën në grevë për të tretën herë këtë vit për shkak të mosmarrëveshjes së tyre me qeverinë për rritjen e pagave dhe kushtet e punës, kërkojnë rritje pagash prej 11 për qind mbi inflacionin.
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Steve Barclay, argumenton se rekomandimi i organit të pavarur të rishikimit të pagave është afërsisht 8.8 për qind. Gjatë grevës 2-ditore të mjekëve specialistë do të ofrohen vetëm shërbime emergjente. Parashikohet që shërbimet rutinë, përfshirë operacionet dhe takimet jourgjente, do të ndërpriten ndjeshëm.
Edhe praktikuesit do të lënë punën nesër
Rreth 61 mijë mjekë të përgjithshëm në Britani do të ndërpresin punën nesër dhe do të hyjnë në grevë 3-ditore. Mjekët e përgjithshëm, të cilët do të dalin në grevë për të gjashtën herë këtë vit, kërkojnë nga qeveria rritjen e pagave me 35 për qind.
Barclay në deklaratën për "Sky News" në lidhje me grevën e mjekëve, tha se do të sigurojnë që një pjesë e stafit mjekësor të jetë në detyrë gjatë grevës.
"Ajo që ne po shpallim sot është se si ne të mbrojmë shërbimet kritike për kohën si kimioterapia, dializa, etj., sepse ne e pranojmë se e drejta për grevë është e rëndësishme, por ne gjithashtu duhet ta balancojmë atë me të drejtën e pacientëve për të aksesuar trajtimet thelbësore", tha Barclay.
Mijëra mjekë specialistë në vend dolën në grevë për "herën e parë në 50 vjet" dhe bënë një ndërprerje 48-orëshe të punës më 20 korrik për shkak të mosmarrëveshjes së tyre me qeverinë për rritjen e pagave dhe kushtet e punës.