Bekim Laci
09 Dhjetor 2015•Përditësim: 09 Dhjetor 2015
SHKUP (AA)- Instituti për Shëndet Publik në Republikën e Maqedonisë ka informuar sot për situatën aktuale lidhur me ndotjen e ajrit dhe për pasojat që ka mbi shëndetin, bashkë me rekomandimet të cilat do ti përcillen institucioneve relevante në shtet, raporton Anadolu Agency (AA).
Koordinatori kombëtar në Sektorin shëndetësor, Dragan Gjorgjev, i cili është edhe anëtar i grupit të punës për menaxhim me cilësinë e ajrit, deklaroi se Maqedonia ka 17 stacione për matjen e cilësisë së ajrit, dhe për momentin pjesa dërmuese e tyre tregojnë prani të grimcave prej 10 mikroneve, më shumë nga niveli i lejuar. Ai shtoi se po hymë në fazën në të cilën duhet ndërmarrë masa për aktivitet të nivelit alarmues.
"Kjo prani tregon se situatën e kemi alarmuese, jo se viteve tjera ka qenë më mirë, por se përsëri jemi në një situatë të tillë dhe secili ka një rol të vetin", deklaroi Gjorgjev, sipas të cilit, pritet rritja e pacientëve nëpër spitalet nga shkaku i ambientit të ndotur i cili më së shumti godet të sëmurët kronik që kanë probleme me frymëmarrjen dhe me zemrën.
Instituti për Shëndet Publik, tha Gjeorgjiev do të përcjellë rekomandimet për shkaktarët e ndotjes, që sipas tij, vjen nga veturat e vjetruara dhe djegia e mjeteve të plastikës ose vajit për çka siç tha nevojiten kontrolle nga inspektorët.
"Sa i përket rekomandimeve, ato mund të jenë ndërprerja e punëve ndërtimore në periudhën kur ka ndotje më të madhe të ajrit, ndërsa do të rekomandohet edhe mbyllja e shkollave dhe foshnjoreve, mirëpo siç sqaroi këto masa do të diskutohen javën e ardhshme gjatë diskutimit për nivelet e reja të ndotjes", tha më tej Gjeorgjiev.
Sa i përket qyteteve më të ndotura, ai tha se kryesojnë Tetova dhe Shkupi, ndërsa në rastin e Tetovës, Gjeorgjiev theksoi se nuk mund të fajësohen dy kombinatet, Jugohromi dhe Teteksi sepse një rol të konsiderueshëm për ndotje të ambientit ka edhe trafiku i dendur dhe lëndët djegëse nëpër amvisëritë. Në rastin e Jugohromit, Gjeorgjiev rekomandoi ndërrimin urgjent të filtrave ndërsa kombinatit tjetër, Teteksit i rekomandoi të bëjë ndërrimin e lëndës djegëse me një më të pastër.