Senada Ibraimova
25 Janar 2017•Përditësim: 26 Janar 2017
SHKUP (АА) – Shoqata për luftë kundër kancerit “Borka” së bashku me Shoqatën për HPV në Maqedoni dhe Shoqata për kolposkopi patologjike dhe cervikale tashmë shtatë vite me radhë zbatojnë fushatë për ngritjen e vetëdijes për kancerin në qafën e mitrës tek gratë, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë javë shënohet Java Evropiane për Parandalimin e Kancerit në Qafën e Mitrës, ndërsa muaji janar i kushtohet ngritjes së vetëdijes tek gratë për këtë sëmundje.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kontrollet e rregullta gjinekologjike, duke përfshirë edhe vaksinimin e adoleshenteve mund në masë të madhe, gjegjësisht madje deri në 94 përqind të ulë rrezikun nga paraqitja e kancerit në qafën e mitrës”, u shpreh Biba Dodeva, kryetare e Shoqatës “Borka”.
Sipas të dhënave nga terreni të Shoqatës “Borka”, gratë nga shtresat me të ulta ekonomike, grate e mjediseve rurale përballen me qasje të pabarabartë lidhur me këtë sëmundje vdekjeprurëse, meqë, siç tha Dodeva, këta gra nuk kanë qasje deri në programin për skrining dhe parandalim dhe nuk janë të informuara sa duhet.
Gjinekologu specialist dhe kryetari i Shoqatës për HPV dr. Goran Dimitrov në fjalën e tij tha se krahas mjekësisë moderne në kohën e sotme, 78 përqind e rasteve botërore me kancer invaziv në qafën e mitrës, gjegjësisht raste ku nuk ekziston mjekim, por vetëm mbijetesë, janë të përfaqësuar në shtetet e zhvilluara të mesme dhe të ulëta, ndërsa vetëm 22 përqind janë në shtetet e zhvilluara të larta.
Lidhur me parandalimin nga kjo sëmundje, Dimitrov tha se një nga gjërat më kryesore është ngritja e vetëdijes. “Ne atyre që na vijnë më nuk mund t'u rrisim vetëdijen, sepse ato tashmë janë gra që janë sëmurë. Megjithatë, për ato që vijnë për kontrolle vazhdimisht u themi që të shkojnë rregullisht në kontrolle. Deri tani ishte ‘merrni pap test, që tani do të jetë merrni edhe HPV test”, tha ai.
Dimitrov po ashtu theksoi se pirja e duhanit, veçmas tek gratë, që janë me imunitet të dobët, që nuk ushqehen mirë rrit rrezikun nga kjo sëmundje.