Sinan Özmüş
10 Nëntor 2016•Përditësim: 10 Nëntor 2016
ANTALYA (AA) - Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki bëri të ditur se qëllimi kryesor i tyre është Kampionati Evropian EURO 2020. Ai tha se në ndeshjet eliminatore për Botërorin 2018 dëshirojnë të fitojnë përvojë dhe të bëjnë befasi në rast se arrijnë të kualifikohen, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e Kosovës ka hyrë në kampin e Hotelit Kremlin Palace në zonën Kundu Turizm, për ndeshjen që do ta zhvillojë me Turqinë më 12 nëntor, ditë e shtunë, në kuadër të grupit I në eliminatoret për Botërorin 2018. Ekipi kosovar po vazhdon përgatitjet me nga një stërvitje në ditë.
Bunjaki, në deklaratën për gazetarin e AA-së, shprehu kënaqësinë për praninë në Turqi. Ai theksoi se katër kombëtare në grupin e tyre paraprakisht kanë garuar në Kampionatin Evropian, duke shtuar më tej se gjenden në një grup të vështirë.
Me moshë mesatare 22, Bunjaku theksoi se kombëtarja e tij është një nga ekipet me moshën më të re të futbollistëve. “Jemi fokusuar në Kampionatin Evropian 2020 për arsye se e synojmë atë. Dëshirojmë që në eliminatoret për Botërorin 2018 të fitojmë përvojë ose të bëjmë befasi nëse arrijmë të kualifikohemi”, tha Bunjaki.
“Do të jetë ndeshje e fortë dhe e vështirë”
Më tej, ai theksoi se Kombëtarja e Turqisë ka futbollistë të vlefshëm dhe të rëndësishëm, siç janë i riftuari në kombëtare Arda Turan, Burak Yılmaz, Selcuk Inan dhe Gökhan Gönül. Po ashtu, siç tha ai, edhe futbollistët e tjerë janë shumë të rinj dhe të talentuar.
Sipas Bunjakit, këta futbollistë do ta forcojnë edhe më tepër Kombëtaren e Turqisë. “Në të vërtetë, e dimë mirë se kjo do të jetë ndeshje e fortë dhe e vështirë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi”, shtoi Bunjaki.
Ai rikujtoi se në kuadrin e tyre ka futbollistë që veshin fanellën në ligat e Turqisë, siç janë Alban Meha, Vedat Muriqi dhe Herolind Shala, duke shtuar se njohja e tyre mbi ligën turke paraqet avantazh sa i përket të dhënave. Bunjaki bëri të ditur se javën e kaluar ka ardhur në Turqi dhe ka ndjekur ndeshjet e ligës së Turqisë.
“Vojvoda do të jetë në fushë të gjelbër kundër Turqisë”
Më tej, Bunjaki bëri të ditur se nga FIFA është marrë miratimi për Mërgim Vojvodën “se mund të luajë për Kombëtaren e Kosovës”. Ndryshe, Vojvoda vesh fanellën për ekipin Royal Excel Mouscron në ligën e parë të Belgjikës. Siç tha Bunjaki, Vojvoda do të jetë në fushë të gjelbër në ndeshjen kundër Turqisë.
Bunjaki tregoi se janë duke pritur miratim nga FIFA edhe për tre futbollistë të tjerë, duke shprehur besimin se do të jenë më të suksesshëm pas zgjidhjes së këtyre çështjeve të brendshme.
%2F20161110_2_20047367_15881087.jpg)
Muriqi: “Do të fitojë vëllazëria”
Vedat Muriqi, i cili luan për ekipin Gençlerbirliği në Super Ligën Spor Toto të Turqisë, theksoi se ndihet i emocionuar për shkak të kësaj ndeshjeje vëllazërore.
“Kjo do të jetë një ndeshje shumë e mirë në aspektin e vëllazërisë dhe miqësisë mes dy vendeve”, tha Muriqi, duke shpresuar për një përballje të mirë. Ai shprehu besimin se ndeshja do të luhet në kuadër të fair play-it. “Nuk them le të fitojë më i miri, sepse do të fitojë vëllazëria”, shtoi ai.