Can Erözden
20 Qershor 2019•Përditësim: 21 Qershor 2019
Kombëtarja e Argjentinës ka vazhduar me rezultatet zhgënjyese në garën e sivjetme Copa America, pasi nuk kanë arritur të shënojnë fitore pas dy ndeshjeve në fazën e grupeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kombëtarja që mban nofkën "La Albiceleste" rrezikon shanset për kualifikim në çerekfinalen e Copa America-s pasi kaluan me barazim kundër Paraguait me rezultat 1-1 në ndeshjen e grupit B të zhvilluar në Belo Horizonte.
Paraguai erdhi në epërsi kundër Argjentinës në minutën e 37-të të ndeshjes me golin e futbollistit Richard Sanchez.
Në minutat e para të pjesë së dytë, u akordua penallti për Argjentinën pas një loje me dorë brenda 16-metërshit. Ylli argjentinas Lionel Messi realizoi me sukses penalltinë, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Në minutën e 62-të të ndeshjes, mesfushori i Paraguait Derlis Gonzalez u rrëzua nga mbrojtësi argjentinas Nicolas Otamendi dhe referi akordoi penallti për Paraguain.
Portieri argjentinas Franco Armani mbrojti gjuajtjen e Gonzalezit për të shmangur epërsinë e Paraguait, andaj ndeshja përfundoi me rezultat 1-1.
Fundjavën e kaluar, Kolumbia mposhti Argjentinën me rezultat 2-0, duke rezultuar në fillim të keq për Argjentinën në këtë garë.
Ndeshja e ardhshme e grupit për Argjentinën do të jetë kundër Katarit më 23 qershor. Pas ndeshjes së dytë, Kolumbia kryeson në grupin B me gjashtë pikë.
Paraguai radhitet i dyti me dy pikë. Katari, që është një nga mysafirët në Copa America jashtë Amerikës së Jugut, është radhitur i treti me një pikë.
Edhe përkundër faktit që ka yje të shumtë si Messi, Paulo Dybala dhe Sergio Aguero, Argjentina është në fund të radhitjes në grupin B me vetëm një pikë.
Më herët, Argjentina ka fituar kupën 14 herë, por nuk janë shpallur kampionë që nga viti 1993.
Në çerekfinale kualifikohen dy kombëtaret që radhitet të parat nga secili grup, si dhe dy kombëtaret me rezultate më të mira nga pozita e tretë.