Agim Sulaj
26 mars 2026•Përditësim: 26 mars 2026
PRISHTINË/TIRANË (AA) – Atmosferë e zjarrtë po mbretëron mbrëmjen e sotme në Prishtinë dhe Tiranë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur nëpër hapësira publike, kafe dhe restorante për të ndjekur ndeshjet e Kosovës dhe Shqipërisë në kuadër të fazës së play-off-it për kualifikimet në Botërorin 2026, raporton Anadolu.
Në të dy kryeqytetet, ekranet e mëdha janë kthyer në pika grumbullimi për tifozët, të cilët po ndjekin me vëmendje çdo aksion të ndeshjeve, duke reaguar me entuziazëm ndaj rasteve dhe momenteve të rëndësishme në fushën e gjelbër.
Në Prishtinë, përpos hapësirave të mbyllura, qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” për të ndjekur ndeshjen pranë një ekrani të madh nën qiell të hapur. Shumë nga ta erdhën të veshur me ngjyrat e kombëtares, derisa brohoritjet dhe thirrjet mbështetëse dëgjoheshin edhe nëpër pjesë të ndryshme të qytetit.
Atmosferë e ngjashme po mbizotëron edhe në Tiranë, ku tifozët janë mbledhur në grupe për të përjetuar së bashku emocionet e përballjes në fazën ku çdo gabim mund të kushtojë me eliminim direkt.
Pavarësisht presionit të ndeshjeve vendimtare, mbështetja për ekipet kombëtare mbetet e fortë, me shpresën se paraqitjet në këtë fazë do t’i afrojnë Kosovën dhe Shqipërinë më pranë sigurimit të një vendi në turneun më të madh të futbollit botëror gjatë kësaj vere.