Përfaqësuesja e basketbollit e Turqisë ka mposhtur përfaqësuesen e Bosnjë e Hercegovinën me rezultat 82:75 në Zenicë, në një ndeshje jashtëzakonisht cilësore të javës së pestë të raundit të parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës, raporton Anadolu.
Megjithëse mysafirët mbërritën në Zenicë si favoritë dhe pothuajse me përbërjen e tyre më të fortë, përfaqësuesja e Bosnjë e Hercegovinës, e dobësuar nga mungesa e Dzanan Musa, Jusuf Nurkic dhe Emir Sulejmanovic, ofroi rezistencë të fortë dhe gjatë pjesës më të madhe të takimit ishte një rival i barabartë.
Të përzgjedhurit e Dario Gjergja-s e nisën shumë mirë ndeshjen, të udhëhequr nga Luka Garza dhe pas çerekut të parë kryesonin 18:17. Vendasit vazhduan me të njëjtin ritëm edhe në periudhën e dytë, kur u dallua Amar Gegic, ndaj në fund të pjesës së parë kishin edhe shtatë pikë epërsi. Pushimi erdhi me rezultatin 39:34 në favor të Bosnjë e Hercegovinës.
Çereku i tretë solli lojë të baraspeshuar dhe ndryshime të shpeshta të epërsisë. Turqia, përmes Furkan Korkmaz-it, arriti të rikthehej në lojë, por vendasit nuk lejonin që kundërshtari të shkëputej në rezultat.
Pika e kthesës ndodhi në mesin e çerekut të fundit, kur Bosnjë e Hercegovina mbeti për disa minuta pa realizuar asnjë pikë, gjë që mysafirët e shfrytëzuan për të krijuar një seri pikësh dhe për të kaluar në epërsi 69:62. Gjatë kësaj periudhe u përjashtua edhe përzgjedhësi i Bosnjë e Hercegovinës, Dario Gjergja, për shkak të kundërshtimeve ndaj vendimeve të gjyqtarëve.
Më pas, skuadra mysafire u rikthye në ndeshje falë pikëve nga Garza dhe Gegic, kështu që dy minuta para fundit disavantazhi ishte vetëm dy pikë. Vendimtar rezultoi koshi për tre pikë i Kenan Sipahi, një minutë e 35 sekonda para përfundimit, për epërsinë e Turqisë 76:71.
Turqia në minutat e fundit u tregua e sigurt nga vija e gjuajtjeve të lira dhe ruajti epërsinë për rezultatin përfundimtar 82:75.
Më efikasi te përfaqësuesja e Bosnjë e Hercegovinës ishte Luka Garza me 27 pikë dhe tetë kërcime, ndërsa Amar Gegic shtoi 19 pikë. Turqinë e udhëhoqi Cedi Osman me 15 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Sehmus Hazer realizoi 14 pikë.
Bosnjë e Hercegovina pas katër ditësh do të luajë në Beograd kundër përfaqësueses së Serbisë, ndërsa Turqia po atë ditë do të presë Zvicrën.
Turqia është liderja e grupit, e ndjekur nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat gjithashtu kanë siguruar kualifikimin në raundin e ardhshëm të kualifikimeve, ndërsa në vendin e fundit renditet Zvicra.