PRISHTINË (AA) - Në konferencën e sotme për mediat, udhëheqësit e klubit të basketbollit Sigal Prishtina bënë të ditur se, çdo gjë është e gatshme për ndeshjen miqësore ndërmjet të kaltër e bardhëve nga kryeqyteti i Kosovës dhe kaltër e bardhëve nga kryeqyteti i Kroacisë, Cibonës nga Zagrebi, raporton Anadolu Agency.
Drejtori i klubit Sigal Prishtina, Florian Miftari bëri të ditur se, sonte në Prishtinë do të arrij njëri ndër ekipet më të trofeshme dhe më të famshme të basketbollit evropian, Cibona, skuadër kjo e cila ka pasur shumë tifozë dhe përkrahës në Kosovë, në kohën kur për të ka luajtur i ndjeri Drazhen Petroviç, basketbollisti më i mirë i gjitha kohëve në Evropë.
“Ne si fëmijë e kemi pasur idhull të ndjerin Drazhen Petroviç, tani vjen vëllai i tij, si president i klubit , Aca Petroviç” tha Miftari duke u shprehur i nderuar që, Prishtina do të jetë mikpritëse e një skuadre si Cibona e cila ka fituar18 herë titullin e kampionit në elitën e basketbollit kroat dhe 7 herë ishte fituese e Kupës së Kroacisë. Në ish Jugosllavi, Cibona ka fituar tre herë titullin e kampiones së shtetit të ish-Jugosllavisë dhe 8 Kupa, ndërsa në arenën ndërkombëtare, “Cibosat” ishin 2 herë kampion të Evropës për Klube (sot, Euroleague) dhe 2 herë kanë fituar Kupën e Fituesve të Kupave të Evropës. Aktualisht, bardhë e kaltrit nga Zagrebi janë kampion të ABA Ligës së Adriatikut.
“Do të nënshkruajmë një memorandum të bashkëpunimit , duke marr parasysh se gjatë vizitës të presidentit tonë atje, janë dakorduar që klubi jonë të ketë bashkëpunim shumë të thellë, në mes të Cibonës dhe Prishtinës. Duke shkëmbyer përvoja të ndryshme edhe duke u munduar që talentët tanë edhe të rinjtë tanë që pretendojnë të shkojnë në shkolla më të mira , që Cibona t’i pranojë ata” tha drejtori i klubit prishtinas Miftari dhe shtoi se, ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë me dy herë kampionen e Evropës.
Duke pasur parasysh se, Kosova është shumë afër pranimit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) dhe shumë shpejtë, përveç Ligës Ballkanike, Sigal Prihstina do të kyçet edhe në ndonjë ligë tjetër evropiane të basketbollit, ndeshjet si kjo janë përgatitje dhe test i mirë për atë që e pret ekipin prishtinas, në të ardhmen.
Delegacioni i Cibonës prtitet të arrij sonte në orën 22:45, në aeroportin e Shkupit dhe pastaj do të vendosen në Prishtinë, kurse nesër prej orës 10:00 në mëngjes, do të mbajnë një stërvitje, para lojës e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 19:00.
Përveç stërvitjes, për klubin kroat është organizuar edhe një agjendë e vizitave të tjera, ku në mesditë, ata do të priten nga Ambasadori i Kroacisë në Kosovë dhe nga aty, në ora 12:45 do të priten nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit në detyrë, Memli Krasniqi.
Në fund, i pyetur nga gazetarët lidhur me reagimet e medieve dhe zyrtarëve serb ndaj vizitës së Cibonës në Prihstinë dhe nëse ata e konsdierojnë si provokim ndaj tyre, drejtori i klubit prishtinas, Florian Miftari u shpreh se herët apo vonë, ata duhet të pajtohen me realitetin e ri
“Po! Ata e marrin si provokim çdo ndeshje që zhvillohet në Kosovë dhe ka karakter ndërkombëtarë, si dhe kur vjen ndonjë ekip shumë e madhe. Ata e marrin si provokim, mirëpo ne nuk mëriztemi shumë për atë punë. Cibona do ta ketë ndeshjen e radhës menjëherë në beograd dhe natyrisht, kjo do të reflektojë edhe atje. Kanë me pas një terren pak ma të nxehtë sepse, ju e keni parë se si mediat serbe menjëherë kanë shkruajtur: pse po shkon Cibona në Prishtinë” ata mundohen me u përzi në çdo aspekt mirëpo ne do të vazhdopjmë bashkëpunimin dhe këtu ju premtoj se shumë shpejtë , ndoshta jo këtë vit mendoj se vitin 2015 do të vjen një ksuadër më e madhe edhe se Cibona . Ne nuk do të ndalemi” tha Miftari.