Prishtinë (AA) - Sot, në Palestrën e sporteve të Pallatit të Rinisë, në Prishtinë, u zhvillua ndeshja miqësore e futbollit në sallë (futsal) ndërmjet të ekipeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Forcave të Armatosura të Malit të Zi, përballje kjo e cila i takoi mysafirëve. Dueli u përmbyll me rezultat 3:9, raporton Anadolu Agency.
Ishte kjo ndeshje e kthimit , pas asaj e cila u zhvillua muaj më parë në Podgoricë. Duelin e filluan më mirë mysafirët, të cilët në 7 minutat e para, përmes Rajeviqit (7) dhe Pejoviqit (10) shënuan dy herë për epërsi prej 0:2. FSK-ja u përgjigj me lojë dhe kontroll të mirë të topit duke zvogëluar rezultatin në 1:2, me golin e Sejdiut (6). Mirëpo, përfaqësuesit e ekipit të futsalit të Ushtrisë së malit të Zi, shënuan përsëri dy gola ekspres. Ishte Raduloviq (99), ai i cili me golat në minutat 18’ dhe 20’ ngriti epërsinë e malazezve në 1:4. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, pasi Ushtria e malit të Zi shkaktoi faulin e gjashtë, që automatikisht në futsal do të thotë penalti, Samir Zvrko (20) e realizoi dhe vendosi rezultatin final të 20 minutave të para, 2:4.
Mysafiërt e filluan pjesën e dytë shumë shpejtë duke e kontrolluar mirë lojën dhe si rezultat i kësaj shënuan seri prej pesë golave duke pranuar një, për ta ngritur rezultatin në 3:8. Golin e fundit në këtë duel e realizoi kapiteni i ekipit mysafir, Zdravko Gjokoviq (6). Në fund, semafori tregonte FSK 3 : Ushtria e Malit të Zi 9.
Medaljet dhe mirënjohjet për FSK-në i ndau koloneli i Ushtrisë së malit të Zi, Zhelko Zhegarac, ndërsa për ekipin e Ushtrisë së Malit të Zi, koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Naim Haziri.
Pas ndeshjes, dy eprorët, koloneli Zhegarac dhe Haziri, u pajtuan se ndeshjet e tilla sportive dhe shoqërimi ndërmjet të pjesëtarëve të dy ushtrive, shërben në të mirë të përhapjes së paqes, miqësisë dhe relaksimit të marrëdhënieve në Ballkan.
“ Mendoj se ne si ushtar mund të tregojmë se edhe nëpërmjet të sportit, ne jemi ata të cilët janë përgjegjës për të përhapur miqësinë në këto treva. Mendoj se kjo me këso takimesh edhe po e tregojmë. Unë shpresojë se ky nuk do të jetë takimi i fundit, iniciativa edhe nga ana jonë por edhe nga ana e kolegëve me të cilët kam biseduar dje, është që këtë takim ta vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm dhe të tregojmë në praktik se si, këto dy ushtri punojnë në forcimin e marrëdhënieve miqësore në Ballkan dhe më gjerë” tha koloneli Zhelko Zhegarac i Ushtrisë së Malit të Zi. Ai tregoi edhe faktin se, Mali i Zi është anëtar i Këshillit Botëror për Garat Sportive të Ushtrive, motoja e të cilës është “Paqja përmes të sportit” dhe me këtë rast i ka dëshiruar edhe Kosovës që, sa më shpejtë, të bëhet anëtare e Këshillit Botëror për Garat Sportive të Ushtrive dhe pastaj, në kuadër të këtyre garave, FSK të garojë dhe së bashku me Malin e Zi, të kontribuojnë në përhapjen e paqes në tërë botën.
Nga ana tjetër, koloneli Naim Haziri i FSK-së tha se aktiviteti i sotëm është vazhdim i bashkëpunimit që FSK e ka me Ushtrinë e Malit të Zi, me qëllim të avancimit të marrëdhënieve të mira por edhe në funksion të bashkëpunimit me gjitha shtetet dhe popujt që jetojnë në rajonin tonë.
“Ne, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Malit të Zi, kemi një bashkëpunim të gjithëmbarshëm edhe në kuadër të bashkëpunimit , trajnimeve të tjera edhe ky aktivitet i fundit është në funksion të kësaj dhe besoj që në të ardhmen do të bashkëpunojmë edhe në fushën e sporti edhe në fushat tjera të sigurisë, në nivel të regjionit” tha koloneli Haziri.