Bekim Laci
02 Gusht 2017•Përditësim: 02 Gusht 2017
SHKUP (AA) - Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) përjashtoi kombëtaren e Greqisë nga Kampionati Evropian për hendbolliste deri në 17 vjeç i cili po mbahet në Shkup, pasi paraprakisht lojtaret e saj në takimin kundër Maqedonisë, mbrëmë braktisën fushën me arsyetimin se në fanellat e stafit teknik qëndronte mbishkrimi Maqedonia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas skandalit të mbrëmshëm, i menjëhershëm ka qenë reagimi i EHF-së, i cili njoftoi se ka marrë një vendim që Greqia të përjashtohet nga kampionati dhe të dënohet për veprimin e bërë.
“Ka nisur një procedurë kundër Federatës greke të hendbollit sepse Komiteti Disiplinor konstatoi se ekipi ka pasur obligim që të luaj ndeshjen në bazë të rregullave të EHF-së. Sipas nenit B.7 nga lista e EHF-së për gjoba, ekipi grek u përjashtua nga garat e mëtutjeshme, ndërsa në bazë të nenit 12 dhe 14.1 të Rregullativës Ligjore të EHF-së, ndeshja është regjistruar me rezultatin 0:10. Greqisë i është shqiptuar një gjobë prej 25.000 euro, dhe ndoshta ajo do të duhet të paguajë edhe shpenzime tjera. Federata greke e hendbollit ka të drejtë ankimimi, mirëpo nga shkaku se kampionati është duke u zhvilluar kjo ankesë nuk do të ketë ndonjë efekt”, thuhet në njoftimin e EHF-së, të publikuar në ueb faqen e saj të internetit.
Ndryshe, ndeshja e mbrëmshme mes Maqedonisë dhe Greqisë zgjati vetëm 32 sekonda, sepse mysafiret braktisën fushën e lojës në shenjë proteste ngaqë në fanellat e stafit teknik të Maqedonisë qëndronte emri i shtetit.