Elvır Hodzıc
29 maj 2026•Përditësim: 29 maj 2026
Mijëra tifozë po shijojnë një ditë të bukur në Sarajevë në prag të ndeshjes miqësore të mbrëmjes mes përfaqësueseve të futbollit të Bosnjë e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila luhet si pjesë e përgatitjeve përfundimtare për paraqitjen e “dragonjve” në Kupën e Botës, raporton Anadolu.
Ndeshja luhet sonte në orën 20:30 në stadiumin “Asim Ferhatoviq Hase - Koshevo”, ndërsa mijëra tifozë nga e gjithë vendi dhe diaspora kanë mbërritur sot në kryeqytetin Sarajevw për të mbështetur përfaqësuesen para nisjes për në Botërorin që do të zhvillohet nga 11 qershori në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Përzgjedhësi i Bosnjë e Hercegovinës, Sergej Barbarez, tha se kjo ndeshje do të shërbejë si një test i rëndësishëm për ekipin, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve dhe se duhet marrë maksimalisht seriozisht. Ai theksoi veçanërisht kënaqësinë për mbështetjen e tifozëve, duke qenë se stadiumi “Koshevo” është shitur plotësisht për këtë ndeshje.
“Rruga është e rëndësishme, por në qendër të gjithçkaje janë tifozët tanë. Për mua do të thotë shumë stadium i mbushur në Sarajevë”, tha Barbarez.
Pas ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, “dragonjtë” udhëtojnë në SHBA , ku më 6 qershor në St. Louis i pret një provë gjenerale në një ndeshje miqësore kundër Panamasë.
Bosnjë e Hercegovina ndodhet në Grupin B të Kupës së Botës së bashku me Kanadanë, Zvicrën dhe Katarin. Të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve do të luhen në orën e mbrëmjes me kohën lokale (21:00 me kohën e Evropës Qendrore).