Fatjon Cuka
01 Shtator 2018•Përditësim: 02 Shtator 2018
TIRANË (AA) - Në Shqipëri ka filluar faza finale e Kampionatit Evropian të Volejbollit U-19 për femra, që do të organizohet në Tiranë dhe në Durrës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipi kombëtar turk ndeshjen e parë në grupin B e ka zhvilluar me Gjermaninë në sallën sportive “Feti Borova”, në Parkun Olimpik të Tiranës, ndeshja e cila është fituar nga skuadra e Gjermanisë me rezultatin 2-3 (22-25, 21-25, 25-22, 25-23, 10-15).
Ekipi turk u mbështet nga tifozë të pranishëm gjatë ndeshjes, ndërsa ndeshja u ndjek edhe nga ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij, Ayşegül Erdal Yörük, si dhe nga përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.
Ndërsa kombëtarja U-19 e Shqipërisë që luan në grupin A është mundur nga ekipi i Holandës me rezultatin 0-3 (11-25, 13-25, 15-25), ndeshje e zhvilluar në mjediset e Akademisë Sportive “Goga Basket" në Durrës.
Në fazën finale 12 skuadrat janë ndarë në dy grupe, A dhe B, mes tyre edhe Shqipëria si vend organizator, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në datat 1-9 shtator.
Në fazën finale marrin pjesë ekipet e Shqipërisë, Turqisë, Serbisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Holandës, Rusisë, Bjellorusisë, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Francës.
Ekipi kombëtar turk ndeshjen e radhës e ka me Sllovakinë më 2 shtator në Tiranë.
Evenimenti sportiv organizohet në bashkëpunim mes Federatës Evropiane të Volejbollit dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit.