Fatjon Cuka
04 Nëntor 2015•Përditësim: 05 Nëntor 2015
TIRANË (AA) – Ndeshja miqësore Kosovë-Shqipëri do të zhvillohet më 13 nëntor në Prishtinë, në orën 14:00. Konfirmimi është bërë zyrtarisht tashmë nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulku, raporton Anadolu Agency (AA).
Shulku gjatë konferencës për mediat mbajtur në ambientet e FSHF-së bërë të ditur se gjatë nëntorit Shqipëria do të zhvilloje edhe një miqësore tjetër ndaj Gjeorgjisë, konkretisht më 16 nëntor në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, në orën 20:00.
Ai ka bërë të ditur se më 14 nëntor 2015 Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një mbrëmje Gala me rastin e kualifikimit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit në “Francë 2016”. Në këtë event do të jenë të ftuar personalite të sportit, artit, politikës, etj, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Shulku ka pohuar se në muajin janar 2016 pritet të fillojë rindërtimi i stadiumit kombëtar në Tiranë.