Zülfiya Yakup
14 Janar 2019•Përditësim: 15 Janar 2019
PRISHTINË (AA) - Të punësuarit në arsim në të gjitha nivelet në gjithë Kosovën sot dolën në grevë të përgjithshme në një periudhë të pacaktuar, e cila sipas tyre do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesës për rritjen e pagave, raporton Anadolu Agency (AA).
Në grevë, përveç shkollave dhe universiteteve, për herë të parë merr pjesë dhe stafi i kopshteve, ku kërkesë themelore është që punonjësve të arsimit t'u rritet koeficienti i pagave me 30 për qind.
Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, me anëtarët e Këshillit Qendror të Grevës mëngjesin e sotëm vizituan kopshtin "Fatosat" dhe shkollën fillore "Hasan Prishtina" në Ulpianë të Prishtinës.
Jashari me këtë rast theksoi se sindikata nga muaji maj ka shkuar nga dera në derë, duke mbajtur takime të shumta me zyrtarët, por tha se me dialog nuk ka zgjidhur çështjen e rritjes së koeficientit të pagave për punonjësit e arsimit me anë të ligjit të pagave, i cili arriti deri në Kuvendin e Kosovës. Ai theksoi se punonjësit e arsimit këtë ligj e konsiderojnë diskriminues dhe nënçmues, sepse ajo i rendit në nivelin e njëjtë me profesionet që kërkojnë vetëm arsimin fillor dhe të mesëm.
"Për habi është se institucionet kanë kërkuar që një shofer i tyre të ketë pagë dhe koeficient më të lartë se një profesorë nga universiteti", tha Jashari.
Kreu i SBASHK-ut theksoi se greva do të zgjasë deri në përmbushjen konkrete të kërkesave.
"Greva do të zgjasë derisa institucionet e Kosovës të përmbushin detyrat e tyre dhe t'i realizojnë kërkesat tona, për të cilat ata vetë thanë se janë legjitime dhe të justifikuara. Unë ju ftoj në unitet, sepse ne po luftojmë për të ruajtur personalitetin dhe autoritetin e mësuesve", tha Jashari para të gjithë punonjësve të arsmit.
Përfaqësuesi i Këshillit të prindërve të shkollës fillore "Hasan Prishtina" , Ferki Qitaku, në emër të prindërve mbështeteti plotësisht grevën, sepse beson se kjo është edhe në interes të fëmijëve.
"Ndoshta ka dyshime, se përse fëmijët qëndrojnë në shtëpi dhe humbasin mësimin këto ditë, por në raport me vlerën që mund të arrihet me anë të kërkesës suaj me siguri do të përfitojnë fëmijët dhe mësuesit", tha Qitaku.
Përndryshe, shkollat në Kosovë sot duhej të fillojnë gjysmën e dytë të vitit, pas pushimit dimërorë dy-javor. Sindikata tha se orët e humbura gjatë grevës do të kompensohen.