PRISHTINË (AA) – Trajneri i mirënjohur boshnjak dhe ish-selektori i i Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabit Haxhiq, është trajneri i ri i kampiones së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtinës dhe tashmë prej një javë gjendet në kryeqytetin e Kosovës.
Për këtë kohë të shkurtër sa është në Prishtinë, ai ka vërejtur se kosovarët janë çmendurisht të dashuruar në basketboll.
“Çdo herë më kanë thënë se njerëzit këtu e duan basketbollin, se shumë investojnë në basketboll dhe se palestrat janë të mbushura plot, që është shumë e rëndësishme për një sport. Më kanë thënë se ka lojtarë të mirë në Kosovë prandaj, mendoj se nuk ka problem për basketbollin e Kosovës. I vetmi problem është se basketbolli i Kosovës nuk është i pranuar në FIBA. Mendoj se është dëm që ky interesim i madh për basketbollin nuk e ka shtyrë FIBA-n që basketbollin e Kosovës ta bëjë anëtare të FIBA-s dhe që klubet të luajnë në Euro Challenge dhe Euro Cup. Unë sinqerisht shpresojë se kjo do të ndodh në një të ardhme të afërt, në të kundërtën, gjithë kjo nuk do të ketë kuptim dhe disa njerëz entuziastë të cilët investojnë në basketboll në një moment do të vendosin që të tërhiqen sepse nuk mund të dalin në Evropë dhe ta afirmojnë basketbollin kosovar në Evropë. Natyrisht, kur të ndodh kjo, do të jetë më interesant edhe për sponsor dhe do të vijnë ditë edhe më të mira për basketbollin e Kosovës” tha Haxhiq për Anadolu Agency (AA).
Ardhja e Haxhiqit në krye të Sigal Prishtinës ka ndodhur pasi zyrtarët e Sigal Prishtinës kanë kontaktuar me menaxherin e tij, ndërsa, vetë Haxhiq, ka marrë informacione nga interneti dhe nga disa lojtarë boshnjak të cilët kanë luajtur këtu në Kosovë.
“Ata më kanë transmetuar gjëra të mira, duke thënë se këtu interesi për basketboll është shumë i madh. Posaçërisht për klubin e Prishtinës kam marr informacione se është një klub shumë mirë i organizuar, se vitin e kaluar kanë pasur rezultate shumë të mira duke fituar titullin e kampionit të Kosovës, Kupën e Kosovës dhe duke luajtur në Final Four të Ligës Ballkanike. Më thanë se klubin e udhëheqin njerëz të cilët e njohin basketbollin, se kanë luajtur basketboll dhe kjo ka ndikuar që unë të vij këtu” tha timonieri i ri i kampiones së Kosovës në basketboll.
Në stërvitjen e mëngjesit, Haxhiq dhe ndihmësi i tij, Fikret Shatri po punonin me 10 lojtarë, kryesisht vendor ndërsa ardhja e transferimeve të reja pritet në 48 orët e ardhshme
“Të mërkurën mbrëma duhet të na vijnë dy amerikan. Njëri është plejmejker kurse tjetri luan në pozitën e qendrës. Atëherë do të jemi të kompletuar dhe do të mund të fillojmë të punojmë në implementimin e programit normal sepse kjo që kemi punuar deri tani, ka qenë më shumë përgatitje fizike dhe në teknikë bazike, ndërsa tash do të mund të fillojmë të ndërtojmë filozofinë tonë të mbrojtjes dhe sulmit dhe duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht kohën e mbetur sepse, menjëherë me 21 Shtator, na pret ndeshja e Super Kupës së Kosovës në basketboll, më pas shkojmë në një turne në Bullgari dhe me 15 Tetor do të fillojë Liga Ballkanike. Unë shpresojë se këtë kohë do ta shfrytëzojmë maksimalisht për t’u përgatitur dhe për të bërë punë të mirë, sivjet” tha për Anadolu Agency, Sabit Haxhiq i cili theksoi se nuk ka qenë në Prishtinë tash e 30 vite dhe gjatë kësaj kohe Prishtina është shndërruar në një qytet modern Evropian.
Përshtypjet e para të tij janë të shkëlqyeshme sepse njerëzit janë shumë mikpritës dhe e donë basketbollin. Ai tregon se kudo që shkon, në kafeteri,në restorante apo në rrugë, të gjithë flasin për basketboll dhe jetojnë për klubin e tyre, Sigal Prishtinën.
Duke u bazuar në gjitha këto, Sabit Haxhiq u shpreh se i vjen mirë që është në Prishtinë sepse, në incizimet të cilat i ka shikuar, ka parë se në palestrën në të cilën po e mbante stërvitjen, gjatë ndeshjeve, mbretëron një atmosferë "braziliane" në të cilën është vështirë të humbet ndeshja. Prandaj, kryetrajneri i ri i "kaltër e bardhëve" , Sabit Haxhiq, shpreson se gjithë së bashku do të bëjnë një punë të mirë gjatë sezonit i cili është përpara.
Sabit Haxhiq është njeri i basketbollit me karrier të pasur si lojtarë dhe trajner. Ai ka udhëhequr kombëtaren e Bosnjës dhe Hercegovinës në Eurobasket 2011, pikërisht në kampionatin evropian ku kishte shpërthyer fundori i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha, duke luajtur për kombëtaren e Polonisë. Performansa e tij në atë kampionat ishte cilësuar si një ndër më të mirat, për lojtarët e rinj që po vijnë, sidomos pas koshit vendimtar të cilin e pati shënuar mbi Ersan Ilyasovan, në sekondat e fundit të ndeshjes, për t’i siguruar kombëtares polake në fitoren historike kundër Turqisë, atëbotë nënkampiones së Botës.
Si lojtarë, Sabit Haxhiq ka një karrierë të suksesshme si në nivelin e klubeve ashtu edhe në atë reprezentative. Ai ishte plejmejeker i skuadrës Bosna nga Sarajeva e cila i solli ish-Jugosllavisë, titullin e parë të kampionit të Evropës për klube, nën udhëheqjen e Bogdan Tanjeviqit, në vitin 1979. Haxhiq Ishte anëtarë i gjeneratës së artë të skuadrës Bosna, së bashku me basketbollistët legjendar : Mirza Delibashiqin,Zharko Varajiqin, Rasha Radovanoviqin, Predrag Benaçekun dhe tjerët.
Në nivelin reprezentativ , ai ka fituar medaljen e bronztë olimpike në LOV Los Angeles 1984 me kombëtaren Jugosllave, së bashku me “Amaduesin” e basketbollit evropian, Drazhen Petroviqin e ndjerë dhe vëllain e tij, Acën, pastaj me Zhizhiqin, Knegon, Nakiqin, Dalipagiqin, Mutapçiqin e tjerët.
Së fundit, ai ishte trajner në Arabinë Saudite, ndërsa nga kjo javë do të jetë njeriu i parë i kampiones aktuale të Kosovës, Sigal Prishtinës e cila në edicionin e radhës ka aspirata të mëdha për t’i fituar të gjitha trofetë në vend dhe synon titullin në Ligën Ballkanike, BIBL.
news_share_descriptionsubscription_contact
