Dejan Maksimoviç
03 Mars 2018•Përditësim: 04 Mars 2018
CYRIH (AA) – Këshilli Ndërkombëtar i Federatës së Futbollit (IFAB) sot njëzëri miratoi përdorimin e video-xhirimit në rregullat e lojës së futbollit, duke hapur rrugën për përdorimin e video-asistentit të arbitrit (VAR) në Kampionatin Botëror që do të mbahet këtë verë në Rusi, transmeton Anadolu Agency (AA).
IFAB është trupi që duhet të pranojë çdo rregull të lojës së futbollit para miratimit të saj. Duke patur parasysh se Federata Botërore e Futbollit (FIFA) asnjë rregull nuk mund të ndryshojë e pavarur pa IFAB-in, vendimi i sotëm mund të jetë revolucionar për lojën e futbollit.
IFAB të shtunën miratoi vendim që VAR të përfshihet në rregullat e lojës së futbollit, por para aplikimit të saj në Kupën e Botës edhe FIFA duhet të sjellë vendim për përdorimin e sistemit të videos në Kampionatin Botëror. Kjo mund të ndodhë më 16 mars, kur Këshilli i FIFA-s mblidhet në Bogota të Kolumbisë.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino kohë të gjatë thoshte se arbitrat në Kampionatin Botëror duhet të kenë ndihmën e teknologjisë ashtu që numri i gabimeve në njërën nga ngjarjet më të mëdha sportive në planet të ulet në minimum.
Duke shikuar video-xhirimin, arbitrat kanë mundësi të kontrollojnë vendimet e tyre në lidhje me dhënien e një e goditjeje të lirë, vlerësimin e rregullsisë së golit, ndarjen e kartonit të kuq apo të kontrollin e identitetit të lojtarëve.
VAR u testua në Konfederatën e Kupës së FIFA-s verën e kaluar në Rusi. Testime të ngjashme zhvillohen në shumë kampionate kombëtare në mbarë botën.
Kohën e fundit, president i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Alexander Çeferin ka thënë se sistemi VAR nuk do të fillojë së shpejti të përdoret në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.