Emre Aşıkçı
03 Shkurt 2023•Përditësim: 06 Shkurt 2023
Klubi i futbollit Ajax nga Amsterdami emëroi John Heitinga si trajner të ri të enjten me kontratë deri në fund të sezonit pas shkarkimit të Alfred Schreuder javën e kaluar, transmeton Anadolu.
"Ajaxi dhe John Heitinga kanë rënë dakord që ish-futbollisti 39-vjeçar të mbetet trajner i Ajaxit deri në fund të sezonit", thuhet në deklaratën e gjigantit holandez.
Ish lojtari i Ajaxit, Heitinga ishte trajner i përkohshëm i klubit holandez fundjavën e kaluar gjatë duelit me Excelsior.
Gjithashtu raportohet se Dwight Lodeweges është emëruar ndihmës trajner.
Heitinga e filloi dhe e përfundoi karrierën e tij futbollistike në Ajax si dhe luajti për disa klube evropiane, përfshirë Atletico Madrid, Everton, Fulham dhe Hertha Berlin.
Ai shënoi shtatë gola në 87 ndeshje për kombëtaren holandeze.
Javën e kaluar, Ajaxi shkarkoi trajnerin Schreuder për shkak të rezultateve të dobëta këtë sezon.
Ajaxi aktualisht ndodhet në vendin e katërt në tabelën e Eredivisie me 37 pikë dhe është pesë pikë prapa liderit Feyenoord.