Dejan Maksimoviç
02 Maj 2018•Përditësim: 02 Maj 2018
ROMË (AA) – Do të luftojmë për ëndrrat tona, tha trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, përpara gjysmëfinales së sotme të Ligës së Kampionëve kundër Romës. "Redsat" nga ndeshja e parë kanë një epërsi të madhe prej 5:2 dhe para duelit në "Olimpico" të Romës janë favorit për t'u kualifikuar në finale, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne jemi këtu për të luftuar për ëndrrat tona. Kështu qëndrojnë gjërat. Duam të shkojmë në finale. Ne ishim shumë të sigurt në 'Anfield', kishim 5:0, dhe pastaj pranuam dy gola. Pas lojës, disa njerëz mendonin se humbëm, por nuk kemi humbur. Ende kemi epërsinë prej 5:2. Njerëzit mendojnë se Roma duhet të fitojë vetëm 3-0, por është shumë e vështirë të arrihet kjo", tha Klopp.
Shumë besojnë se Roma mund të bëjë një tjetër mrekulli si në çerekfinale kundër Barcelonës, kur u mposht me 1:4 në Camp Nou dhe pastaj fitoi 3:0 në "Olimpico" dhe shkoi në gjysëm finale.
"Nuk jam këtu për të folur për Barcelonën. Në atë ndeshje, Roma ishte majft e përgatitur. Gjithkush thotë se kjo nuk është e realizueshme, por edhe e mundur. Megjithatë, askush asgjë nuk i tha Barcelonës, sepse askush nuk mendonte se kjo mund të ndodhte. Jemi në një situatë shumë më të favorshme sesa mendoja para ndeshjes së parë dhe kjo është e vetmja e vërtetë", tha trajneri gjerman.
Ndeshja Roma - Liverpool do të luhet sonte në "Olimpico" me fillim në ora 20:45.
Plasman në finale të Ligës së Kampionëve mbrëmë siguroi Real Madridi pasi në "Santiago Bernabeu" barazoi 2:2 me Bayernin e Mynihut. Në ndeshjen e parë "Klubi Mbretëror" fitoi me 2:1. Finalja e kompeticionit më të fortë evropian të klubeve do të luhet më 26 qershor në stadiumin Olimpik në Kiev.