Abdula Berisha
03 dhjetor 2022•Përditësim: 03 dhjetor 2022
Reprezentacioni i Zvicrës ka siguruar kualifikimin në raundin tjetër në kuadër të Kupës së Botës 2022 që po mbahet në Katar, duke mposhtur Serbinë me rezultat 3-2, transmeton Anadolu Agency (AA).
Golin e parë të ndeshjes në minutën e 20-të e shënoi futbollisti me prejardhje kosovare, Xherdan Shaqiri. Në vazhdim reprezentacioni i Serbisë shënoi dy herë, duke përmbysur rezultatin. Fillimisht shënoi Aleksandar Mitroviç në minutën e 26-të, ndërsa më pas shënoi edhe Dushan Vllahoviç, në minutën e 35-të.
Por në vazhdim të ndeshjes, përmbysje të rezultatit bëri edhe reprezentacioni i Zvicrës. Breel Embolo shënoi në minutën e 44-të për të barazuar rezultatin në 2-2, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, respektivisht në minutën e 48-të, Remo Freuler shënoi për të çuar reprezentacionin e Zvicrës në epërsi me rezultat 3-2, rezultat me të cilin përfundoi ndeshja.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Grupin G, Brazili pësoi humbje nga Kameruni me rezultat minimal 1-0. Megjithatë, kjo fitore nuk ishte e mjaftueshme për Kamerunin i cili bashkë me Serbinë eliminohen nga gara.
Brazili dhe Zvicra kualifikohen në raundin e radhës si dy të parat në grup, me nga 6 pikë të fituara. Brazili radhitet i pari për shkak të gol-diferencës më të mirë.
Në raundin e radhës, Brazili do të luajë kundër Koresë së Jugut, ndërsa Zvicra do të përballet me Portugalinë.