Can Erözden
10 shkurt 2022•Përditësim: 10 shkurt 2022
Klubi i Ligës Amerikane të Futbollit (MLS), Chicago Fire, ka nënshkruar me futbollistin Xherdan Shaqiri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Chicago Fire njoftoi se zvicerani me prejardhje kosovare, i cili zakonisht luan në krahun e djathtë të mesfushës, nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare që do të përfundojë në fund të vitit 2024.
Skuadra e mëparshme e Shaqirit, Olympique Lyon, konfirmoi se Chicago Fire i pagoi klubit francez një tarifë bruto të transferimit prej 7 milion eurosh për të blerë lojtarin.
“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që zyrtarisht mirëpresim Xherdan Shaqirin në Fire”, tha drejtori sportiv i Chicago Fire, Georg Heitz.
Heitz vlerësoi transferimin e ri të Chicago Fire, duke e quajtur Shaqirin një “lojtar që ndryshon lojën”.
“Ne mezi presim ta mirëpresim atë dhe familjen e tij në Chicago shumë shpejt”, shtoi ai.
30-vjeçari Shaqiri, produkt i Baselit, iu bashkua klubit francez Olympique Lyon në vitin 2021.
Përveç Baselit, ai ka luajtur për klube si Bayern Munich, Inter Milan, Stoke City, Liverpool dhe Olympique Lyon.
Ai fitoi titullin e Bundesligës gjermane me Bayern Munich-un në vitet 2013, 2014 dhe 2015.
Shaqiri ishte lojtar i Liverpool-it kur Të Kuqtë u kurorëzuan kampionë të Premierligës së Anglisë në vitin 2020.
Ai ka fituar Ligën e Kampionëve të UEFA-s dy herë; me Bayern Munich-un në vitin 2013 dhe me Liverpool-in në vitin 2019.
Shaqiri ka shënuar 26 gola në 100 ndeshje ndërkombëtare për Zvicrën dhe është paraqitur në Kupat e Botës 2010, 2014 dhe 2018.