Dejan Maksimoviç
30 Dhjetor 2015•Përditësim: 30 Dhjetor 2015
LONDËR (AA) - John Obi Mikel, mesfushori i Chelsea-s, për mediat britanike tha se atmosfera pas ardhjes së Guus Hiddink është shumë më mirë se kur ishte në stol Jose Mourinho, raporton Anadolu Agency (AA).
Roman Abramovich, pronari i Chelsea, shkarkoi trajnerin portugez i cili sezonin e kaluar fitoi titullin e kampionit të Anglisë pas një serie të rezultateve të dobëta këtë sezon. Në vend të tij erdhi Hiddink i cili tashmë është menaxher i të "Kaltërtve".
"Atmosfera është shumë më e mirë pas ndryshimeve. Mourinho është një menaxher fantastik dhe do të jetë gjithmonë njeri i shkëlqyer. Megjithatë, ndonjëherë futbolli është lojë e ashpër dhe duhet të shkojmë më tej. Ai u kthye në klub për herë të dytë dhe fitoi dy trofe, por tani shkoi dhe ne duhet të shikojmë të ardhmen. Nuk e di nëse është vendim i drejtë, do të shohim në vazhdim të sezonit", thotë Mikel.
Ai vazhdon më tej se: "Hiddink nuk ka ndryshuar shumë. Ai ishte këtu më parë, i njeh të gjithë të punësuarit. Natyrisht, lojtarët janë të ndryshëm, vetëm Xhon Terri dhe unë ishim këtu gjatë mandatit të tij të parë, por mendoj se ai e di çfarë po bën. Nuk jemi pa arsye kaq poshtë në renditje, prandaj nuk mundet askush të vijë dhe të bëjë mrekulli, por duam që të rregullojmë gjërat dhe të përmirësojmë situatën. Kemi tre ndeshje rresht pa humbje, dhe kështu arrihet përparimi".
Chelsea pas 19 xhirove të Premier League është në vendin e 14 me 20 pikë, vetëm tri më shumë nga zona e rrëzimit. Në xhiron e radhës me tre janar do të udhëtojë në duel me rivalët e qytetit Crystal Palace, që po luan shkëlqyeshëm këtë sezon dhe zë vendin e pestë.