Dejan Maksimoviç
18 Dhjetor 2015•Përditësim: 18 Dhjetor 2015
LONDËR (AA) - Shkarkimi i Jose Mourinhos nga posti i trajnerit të Chelsea-t ka shkaktuar reagime të shumta në Angli. Janë të shumtë ata të cilët mendojnë se ka merituar të braktisë pankinën e "të kaltërve", por ka edhe prej atyre që mendojnë ndryshe. John Terry, kapiteni i Chelsea-t i dërgoi një mesazh prekës ish-trajnerit, duke theksuar se e enjtja ishte një ditë shumë e pikëlluese për të, raporton Anadolu Agency (AA).
Mourinho e ka emëruar Terryn për kapiten të ekipit gjatë mandatit të tij të parë në "Stamford Bridge". Ishte kjo në vitin 2004, dhe që nga atëherë kanë kaluar së bashku shumë çaste të mira, siç ishte fitimi i tre titujve të kampionit të Anglisë, por edhe çaste pikëlluese.
"Shef, do të më mungosh. Me ty kam bërë më të mirën në jetë, që na solli kujtime të paharrueshme të përbashkëta. Falemnderit është e pamjaftueshme të thuhet", shkroi Terry në instagramin e tij.