Dejan Maksimoviç
13 Shtator 2017•Përditësim: 14 Shtator 2017
MANCHESTER (AA) – Manchester United është rikthyer suksesshëm në Ligën e Kampionëve, pasi në Old Traford mbrëmë triumfoi ndaj Baselit zviceran me rezultatin 3:0, megjithatë humbi njërin nga yjet e skuadrës, francezin Paula Pogba, i cili nga shkaku i një dëmtimi të muskulit të kofshës, braktisi fushën e lojës që në minutën e 19 të ndeshjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho, pas ndeshjes nuk ishte i sigurtë për natyrën e lëndimit, pasi për mediat britanike tha se mungesa disa javëshe e Pogbas është bërë në bazë të vlerësimeve nga përvoja.
“Nga përvoja e mëparshme e di se bëhet fjalë për një dëmtim të muskulit. Përvoja ime me dëmtime të tilla flet se Pogba me gjasë nuk do të luaj disa javë”, tha Mourinho.
Pogba kishte një fillim mbresëlënës të sezonit të sivjetshëm të Premierligës ku shënoi dy gola dhe regjistroi disa asistime, me të cilat ndihmoi Unitedin të radhitet i pari në tabelë.
Siç qëndrojnë punët, francezi me siguri do të mungojë në ndeshjen e së dielës kundër Evertonit, ndërsa deri në fund të shtatorit skuadrën e Mourinhos e presin përballjet me Burtonin, Southamptonin, CSKA Moskë dhe Crystal Palace.