Dejan Maksimoviç
23 Dhjetor 2015•Përditësim: 23 Dhjetor 2015
LONDËR (AA) - Petr Cech, portieri me përvojë i Arsenalit, beson se skuadra e tij këtë sezon mund të fitojë titullin e kampionit të Anglisë. Ish-portieri i Chelseas definitivisht e di se si fitohen trofetë, kurse optimizmin e tij e mbështet në atë se "topçinjtë" aktualisht luajnë shumë mirë, pavarësisht faktit se ata kanë disa lojtarë të lënduar, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas 17 raundeve, Arsenali renditet i dyti me vetëm dy pikë prapa liderit Leicester City. Në 11 ndeshjet e fundit kanë pësuar vetëm një humbje.
"Ekipi ynë është shumë i fortë dhe në një moment kur të kompletohemi, menaxheri do të mund të përdorë secilin lojtarë në situatat në të cilat i nevojitet. Kjo do të jetë avantazhi ynë, thotë Cech".
Në mesin e lojtarëve të lënduar të Arsenalit janë Jack Wilshere, Francis Coquelin, Danny Welbeck, Santi Cazorla dhe Tomas Rosicky. Për të gjitha këto arsye Cech, i cili për dhjetë milionë paund erdhi nga Chelsea, mendon se ekipi në këtë sezon vetëm mund të përmirësojë formën.