Prishtinë (AA) - Trajneri i mirënjohur boshnjak dhe ish selektori i i Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabit Haxhiq, është trajneri i ri i kampiones së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtinës, ka konfirmuar për Anadolu Ajansi, zëdhënësi i klubit, Ramadan Gagica.
Sabit Haxhiq i cili udhëhoqi kombëtaren e Bosnjes dhe Hercegovinës në Eurobasket 2011, ka një karrierë të suksesshme si lojtar. Ai ishte plejmejeker i skuadrës Bosna nga Sarajeva e cila i solli ish-Jugosllavisë, titullin e parë të kampionit të Evropës për klube, nën udhëheqjen e Bogdan Tanjeviqit, në vitin 1979. Haxhiq Ishte anëtarë i gjeneratës së artë të skuadrës Bosna, së bashku me basketbollistët legjendar : Mirza Delibashiqin,Zharko Varajiqin, Rasha Radovanoviqin, Predrag Benaçekun dhe tjerët.
Po ashtu, ai ka fituar edhe medaljen e bronztë olimpike në LOV Los Angeles 1984 me kombëtaren Jugosllave, së bashku me “Amaduesin” e basketbollit evropian, Drazhen Petroviqin e ndjerë dhe vëllaun e tij, Acën, pastaj me Zhizhiqin, Knegon, Nakiqin, Dalipagiqin, Mutapçiqin e tjerët.
Së fundit, ai ishte trajner në Arabinë Saudite, ndërsa nga kjo javë do të jetë njeriu i parë i kampiones aktuale të Kosovës, Sigal Prishtinës e cila në edicionin e radhës ka aspirata të mëdha për t’i fituar të gjitha trofetë në vend dhe synon titullin në Ligën Ballkanike, BIBL.
Nga klubi po ashtu bëjnë të ditur se, Sigal Prishtina përveç se ka rinovuar kontraën me lituanin Aurimas Kiezan dhe ka vazhduar kontratat me basketbollistët vendor: Edmond Azemin, Dardan Berishën, basketbollistin më të mirë në Kosovë për edicionin e kaluar kosovar si dhe me qendrën Urim Zenelaj, ekipi bardh e kaltër ka njoftuar edhe për dy blerje të reja: Barisha Krasiq dhe Brian Green.
Krasiq është ish-reprezantues i Bosnjes dhe ka luajtur në Bosnje, Gjermani, Kroaci dhe Maqedoni, për klubet si Zara, Cibona, Cedevita dhe së fundmi për kampionin e shumëfishtë të Maqedonisë, Rabotniçkin. Krasiq është lojtarë i cili luan në pozitat 4-5 (alo-qendër dhe qendër).
Transferi tjetër vjen nga Amerika. Brian Greene. 31-vjeçar është i gjatë 196 cm dhe luan në pozitat 2-3 (fundor dhe shkurtër ). Së fundmi, Green ka luajtur në Finlandë për ekipin Kataja Basket dhe ishte përzgjedhur si një nga lojtarët më të mirë të ligës.
Mirëpo, as kjo nuk është e tëra sa i përket përforcimeve të skuadrës nga kryeqyteti. Zyrtarët e klubit bënë të ditur për AA se shumë shpejtë do të realizojnë edhe një transferim të madh me të cilin Sigal Prishtina synon të përsërisë sukseset e vitit të kaluar ku fitoi gjithçka në basketbollin vendor dhe në debutimin historik në arenën ndërkombëtare, në Ligën Ballkanike, arriti mjaft sukses duke u kualifikuar në “Final Four”, i cili u organizua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.