Gökhan Ergöçün
25 Gusht 2020•Përditësim: 26 Gusht 2020
Sipas Regjistrimit të Lajmeve Inxhinierike të SHBA-ve (ENR), njoftoi ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, kompanitë turke përbëjnë pothuajse një të pestën e 250 kompanive kryesore kontraktuese në nivel global, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një takim të organizuar nga Shoqata Turke e Kontraktuesve, Pekcan tha se për vitin 2020 me 44 kompani Turqia renditet e dyta për nga numri në listën e Kontraktuesve kryesorë ndërkombëtar të ENR-së dhe e shtata me të ardhurat totale.
Sipas ENR-së, kompania spanjolle ACS ishte kompania e parë në listë, e ndjekur nga Hochtief Aktiengesellschaft (Gjermani) dhe Vinci (Francë).
Pekcan theksoi se përderisa të ardhurat e 250 kompanive kanë rënë për 3 për qind në vitin 2020 për shkak të paqartësive globale dhe pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), të ardhurat e kontraktuesve turq nuk kanë parë ndonjë ndikim negativ.
"Ky është një tregues i përshtatjes, dinamizimit dhe forcës së kompanive kontraktuese në kushte të vështira", theksoi ajo.
Që nga viti 1972, njoftoi Pekcan, sektori kontraktues turk ka trajtuar projekte me vlerë prej 407 miliardë dollarë në 127 vende, përfshirë 50 miliardë dollarë në vitet 1972-2002 dhe 357 miliardë dollarë që nga viti 2002.
Sipas ministres turke, vitin e kaluar sektori mori përsipër projekte në vlerë prej 19 miliardë dollarë, pavarësisht luftërave tregtare dhe pasigurive politike.
"Ne synuam mbi 20 miliardë dollarë për vitin 2020, por pandemia ndikoi negativisht në projektet ndërkombëtare", u shpreh Pekcan.